Babë e bir ndalohen në paraburgim për lëndimin e një të mituri

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtarja e procedurës – Shpresa Emra, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.03.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 08.04.2021, ndaj të pandehurve A.O., dhe M.O., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – lëndim i lehtë trupor.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve A.O., dhe M.O., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: me datë 9 mars, në orët e mëngjesit, në shkollën fillore të fshatit Caparc (Prizren), të pandehurit i shkaktojnë lëndime trupore të miturit – i dëmtuari nxënës i shkollës, për shkak se i mituri – i dëmtuari kishte pasur një mosmarrëveshje të mëhershme me vajzën e të pandehurit A.O., ashtu që të pandehurit A.O., dhe M.O., (babë e bir), shkojnë në shkollë
dhe derisa ishte duke u mbajtur ora mësimore, e sulmojnë të dëmtuarin – viktimë e ndjeshme i moshës së mitur, ashtu që të pandehurit duke e goditur me shuplaka në pjesë të ndryshme të trupit i shkaktojnë lëndime trupor të dëmtuarit të konstatuara nga raporti mjekësor, thuhet në njoftimin e Gjykatës.