Babë, tash edhe për së vdekuri po përballësh nëpër gjykata

Babë, ti i dhe Kosovës më të shtrenjën, por si duket kjo nuk po mjafton.

Tash, mbi njëzet vjet, babë  nuk po na lënë të qetë shpirtin njerëzit tanë, njerëzit e shtetit tonë, të zgjedhurit e popullit tonë.

Babë, shpesh them më mirë që nuk je gjallë e të shohësh çka po ndodhë në vendin tonë.

Babë, ty si fëmijë i një luftari të vrarë në luftë dhe i një nëne të ve, që UDB-ja nuk e la të qetë deri në varr, kurrë nuk t’u nda gazepi, por kurrë nuk u dorëzove.

Ti babë nuk u dorëzove as më 1989, në grevat e minatorëve, duke kërkuar liri thellë në zgafellat e Trepçës.

Babë, ti nuk u dorëzove as më 1999, në luftën për liri, bashkë me familjen dhe kushërinjtë.

Babë, ti re në luftë për liri, hej liri.

Babë, më mirë që nuk e di çfarë pushteti kemi që nga pas lufta.

Me gojën plot demagogji e thirrje në mbrojtje të vlerave të luftës, për një copë karrikë.

Më beso babë, pikërisht njerëzit që thirren në vlerat e luftës, po e bartin emrin tënd nëpër gjykata. Herë në Gjilan e herë në Prishtinë.

Babë, më mirë që nuk je gjallë se jo që do dëshproheshe, por nuk e di se çfarë.

E di që nuk do pendoheshe, sepse edhe më 1989, kur u tradhëtuat nga klika e Ali Shukrisë e Rrahman Morinës, nuk u dorëzove dhe të mbante shpresa se do vijnë ditë të mira për Kosovën tonë.

Por, ja qe kaluan më shumë se dy dekada e përbuzja ndaj nesh s’ka fund.

Babë, një amanet na ke pas lënë: Nëse dikush ju bënë keq, ju kthejani me të mirë.

Nëse është njeri, do të pendohet.

Ne do i qëndrojmë këtij amaneti, Babë.

……………..

(Familja e dëshmorit Sherif Sefë Sherifi)