Baca Smajl ishte simbol i krenarisë, sfidave dhe sakrificave
Para 4 vitesh iku nga kjo botë një burrë i rrallë nga malësia e Zhegocit, Ismajl Sherifi. Atë e ka rikujtuar sot nipi Besniku.
‘Vitet ecin por kujtimet mbesin në kujtesën tonë, Babalok.
Ishe një personalitet me shumë tipare pozitive. Këtë burrë malësor, të urtë, të sinqertë, të ditur e të drejtë, nuk e bënte të veçantë e të dashur në çdo rreth ku gjendej, vetëm pamja e jashtme, por edhe humori i tij i lehtë dhe i këndshëm dhe mbi të gjitha kontributi që dhe në çështjen kombëtare dhe proceset e tjera nëpër të cilat ka kaluar shoqëria kosovare, si para, ashtu edhe gjatë e pas luftës. Ishte shembull për t`u admiruar. Sakrifikues dhe i etur për dije, njeri optimist dhe komunikues i përshtatshem për te gjitha moshat.
Do të mbetesh në mendje dhe zemrat tona’ – ka shkruar Besnik Sherifi.
Edhe pse ishte rritur jetim, vetëm në duart e nënës, ai kishte trashëguar të gjitha vlerat burrërore të të atit, Sefës, i cili ka rënë në Luftën e Dytë Botërore, në ish-Jugosllavi, gjatë kohës së shërbimit ushtarak.
Ismajl Sherifi, mësimet e para dyvjeçare i mori në shkollën e fshatit, gjatë viteve 1948/1950.
Pas mbarimit të shkollës, u mor me bujqësi e tregti, deri në moshën 20-vjeçare, kur i erdhi ftesa për të shkuar në shërbim ushtarak.
Pas mbarimit të ushtrisë, më 1963, i kthehet familjes dhe jetës në fshat.
Duke e parë zgjuarsinë, mendjemprehtësinë dhe aftësitë oratorike të tij, Komiteti për Arsim, Zyra në Gjilan, e zgjodhi Ismajl Sherifin për kryesues shkolle për katër vite.
Më vonë, falë punës dhe angazhimit të tij, në vitin 1968, zgjidhet përfaqësues i fshatrave Verbicë, Zhegoc dhe Parallovë, për një mandat 4-vjeçar.
Më vonë, Ismajlit i kërkohet që të kryej punën e portës (1972-1988) prej nga, për shkak të mospajtimeve të thella ndaj gjykimeve selektive dhe arbitrare të shqiptarëve, tërhiqet.
Ismajl Sherifi njihet edhe si pajtimtar i gjaqeve, plagëve e ngatërresave në Malësinë e Zhegocit, ku ka ndërmjetësuar në pajtimin e shumë familjeve të kësaj ane.
Ajo çfarë e dallonte Ismajlin nga të tjerët, jo vetëm në Vërbicë e Gjilan, por gjithandej në Kosovë, këtë njeri të dhembjeve, sfidave e sakrificave, ishte dashuria për vlerat kombëtare, të cilat ky burrë shtatlartë, i pashëm dhe i zgjuar, i bartte me krenari./Mediafokus.info

