Bahtiri thotë se ka rënie të rasteve në ditën kur u regjistruan 26 vdekje
Në ditën kur në Kosovë u shënuan 26 vdekje me COVID-19 dhe 1300 raste të reja me COVID-19, kryetari i Mitrovicës dhe kandidat për një mandat të tretë në këtë komunë, Agim Bahtiri “ka marrë zemër”, nga takimi me shefin e tij, kryeministrin Albin Kurti dhe ka thënë se rastet kanë filluar të kenë rënie.
Këtë reagim ai e ka bërë pas takimit me kryeministrin Kurti dhe ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia ku u diskutua për masat, e ku numri më i madh i kryetarëve të komunave nuk morën pjesë.
“Rastet tashmë kanë filluar të kenë një rënie, mirëpo duhet të jemi të përkushtuar plotësisht që të zbatojmë edhe masat që janë miratuar nga Qeveria e Kosovës. Pjesëmarrja e kryetarëve në këtë takim sot u shndërrua në temë dite, por binduni që shëndeti i qytetarëve është mbi secilën temë tjetër.”, ka shkruar Bahtiri.
Ky është reagimi i plotë:
Vetëm me një bashkëpunim të tillë mund të ndalim rritjen e rasteve me COVID-19
Sot, mora pjesë në takimin e ftuar nga kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ku u diskutua për zbatimin e masave AntiCovid.
Rastet tashmë kanë filluar të kenë një rënie, mirëpo duhet të jemi të përkushtuar plotësisht që të zbatojmë edhe masat që janë miratuar nga Qeveria e Kosovës. Pjesëmarrja e kryetarëve në këtë takim sot u shndërrua në temë dite, por binduni që shëndeti i qytetarëve është mbi secilën temë tjetër.
Po shfrytëzoj këtë moment të ju kërkoj përsëri për të mbajtur maskën, distancën dhe për të respektuar në plotni masat AntiCovid.

