Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se sipas disa raportimeve, qytetarëve iu faturua transporti i energjisë me çmim marramendës – duke kaluar nga vetëm 1.11 euro në blerje, në 798 euro në faturim.

“Veç mendojeni, janë këta ‘profesionistë të pavarur’ që caktojnë çmime për energjinë që ne detyrohemi t’i paguajmë”, ka shkruar ajo.

Deputetja thekson se kjo nuk ka të bëjë me vetë energjinë, por vetëm me transportin, dhe sipas saj, këto janë ndër shkaqet kryesore të rritjes së ndjeshme të çmimeve në katër vitet e fundit.

“Këto janë arsyet pse në katër vitet e fundit çmimi i energjisë është rritë 128% dhe pse 200 prodhues vendor e 1100 kompani shërbyese e tregtare janë duke u shty drejt mbylljes ose rritjes çmimeve.”

Në deklaratën e saj, Bajrami ka përmendur me emra përgjegjësit institucionalë, duke theksuar: “Shihni Ligjin për Energjinë Elektrike, drejtëpërdrejtë përgjegjës janë KOSTT dhe ZRrE”.