Banorët e lagjes “Dheu i Bardhë” në Gjilan më shumë se 5 ditë pa furnizim me ujë

Banorët e lagjes “Dheu i Bardhë” në Gjilan janë duke u ballafaquar me mungesë të furnizimit me ujë, për shkak të një defekti në gypin e ujësjellësit.

Labinot Miftari, i cili jeton në këtë lagje ka raportuar në KALLXO.com se nga data 26.02.2026 nuk kanë ujë.

“Nuk po kemi ujë për sanitari – me la ndonjë enë. E kemi një fëmijë të vogël, duhet me ia përvëlu ato shishet e qumështit. Jemi duke bajt ujë me bidona.” – ka thënë Miftari përmes telefonit, më 02.03.2026.

Sipas tij, janë 50-60 shtëpi që e kanë këtë problem. Miftari shpjegon se aktualisht po furnizohen me ujë përmes bidonëve duke i blerë apo mbushë në një fshat tjetër në Gjilan.

Më 24.02.2026, KRU “Hidromorava” ka publikuar në Facebook njoftimin për ndërprerje të furnizimit me ujë në një pjesë të lagjes “Dheu i Bardhë”, për shkak të defektit në gypin e ujësjellësit.

“Ju njoftojmë se, për shkak të një defekti në gypin e ujësjellësit, të shkaktuar nga një operator ekonomik i cili është duke kryer punime në infrastrukturën nëntokësore, është ndërprerë furnizimi me ujë në një pjesë të lagjes ‘Dheu i Bardhë’. Ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit në kohën sa më të shkurtër të mundshme.” – thuhet në njoftimin e KRU “Hidromorava”, më 02.03.2026.

Miftari tha se kanë provuar të kontaktojnë Kompaninë më 27.02.2026, 28.02.2026, si dhe të dielën, më 01.03.2026, por sipas tij, nuk ua kanë hapur telefonin.

“Sot [02.03.2026] kena provu me kontaktu. [Thanë] Jo, nuk dimë. Janë dalë në punime. Kesh më herët prap te kjo punishtja, kërkush nuk është prej ujësjellësit, Hidromoravës, t’u punu. Edhe nuk po dimë [çka të bëjmë]. Zgjidhje s’kemi. Don me na ra zhuga, 4-5 ditë pa u la.” – ka shtuar Miftari.

KALLXO.com e ka kontaktuar përmes telefonit KRU Hidromoravën, por nuk e kanë hapur telefonin. Atyre u janë dërguar me shkrim pyetjet për të kuptuar se kur do të sanohet problemi me ujë në këtë lagje.

Elhame Shefkiu, drejtore teknike në KRU “Hidromorava” ka thënë për KALLXO.com se defektet janë duke u shkaktuar nga Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS), të cilët sipas saj, janë duke i instaluar kabllot elektrike që janë paralel me gypat e ujësjellësit.

Shefkiu thotë se janë gypa që shumë lehtë dëmtohen, si dhe më 27.02.2026 ka pasur disa përfaqësues të lagjes të cilët janë ankuar për mungesë të ujit. Kështu kanë dalë në terren me inxhinieren për ta parë problemin.

“Dy defekte kanë ndodhur brenda ditës, të cilat janë rregulluar, por këto defekte shkaktohen në vazhdimësi pasi që KEDS ende është duke punuar aty. Menaxheri i Rrjetit të ujësjellësit, është duke u marrë me këtë problem. Ne do të mundohemi që t’i sigurojmë pjesët sa më shpejtë që është e mundur dhe t’i sanojmë defektet e paraqitura.” – ka thënë Shefkiu, më 02.03.2026.