Banorët e lagjes Iliria në hall me taksitët, nuk respektojnë hapësirat e destinuara pë ta
Banorët e kompleksit banesor në lagjen Iliria në Gjilan janë në hall me taksistët, të cilët vinë e rreshtohen në hapësirën e parkimit dyfish më tepër se sa ka vende të rezervuar për ta.
Në të vërtetë, sipas banorëve të lagjes, Komuna ka ndarë 5 parkingje për taksitë në kuadër të kësaj hapësire, e cila është e destinuar për banesat kolektive që prej kohës kur ato janë ndërtuar, në vitet e tetëdhjeta, por kjo nuk po respektohet prej tyre.
Siç mund të shihet edhe në këtë foto të dërguar nga banorët e lagjes, aty rreshtohen deri në dhjetë e më tepër taksi, madje edhe në shtigjet e hyrje-daljeve, si dhe brenda kornizave të destinuara për banues të lagjes.
E tëra kjo po krijon tensione ndërmejt banorëve dhe shoferëve të taksive, duke marrë parasysh që brenda kësaj zone ndodhet edhe një çerdhe, ku prindërit vinë për t`i sjellë dhe marrë fëmijët e tyre, ka biznese, si dhe shërbime të tjera.
Hiq kësaj, taksistët, sipas banorëve të lagjes, po tregohen të pakujdesshëm edhe sa i përket mirëmbajtjes së ambientit, duke hedhur me dhjetra bishta të cigareve në tokë, pavarësisht se krejt afër ndodhen kazanët e mbeturinave.
Banorët presin që inspekcioni komunal të reagojë në ‘disiplinimin’ e taksive sa i përket respektimit të hapësirës së destinuar për ta, po edhe kujdesit ndaj ambientit, që në mëngjes i përngjanë një deponie të bishtave të cigareve./Mediafokus.info/

