Basha i premton Osmanit: Do ta heqim traun në rrugën e kombit

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, i ka premtuar presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani se do ta heq traun në rrugën e kombit, sapo të vijë në pushtet.

Basha tha se pas 25 prillit do të ketë kthesë rrënjësore te qasjes së Tiranës ndaj Prishtinës. Ai u shpreh se Kuvendi i ri do miratojë rezolutën për dënimin e gjenocidit serb ndërsa një nga vendimet e para do jetë heqja e traut në rrugën e kombit.

“Kam kënaqësinë dhe nderin e veçantë t’i uroj mirëseardhjen Vjosa Osmanit. Dua ta falënderoj nga zemra për pritjen shumë të ngrohtë gjatë vizitës time në korrik në Prishtinë. Shkurtimisht dua të ndalem në 3 prej tyre, domosdoshmërinë për një qëndrim të unifikuar Tiranë-Prishtinë në arenën ndërkombëtare sa i përket gjithçkaje që lidhet me Kosovën. Dua të përsëris zotimin tim dhe të PD se pas 25 Prilit do këtë një kthesë rrënjësore të qasjes së Tiranës, në vendosjen e marrëdhënieve Shqipëri-Kosove në plan të parë”, tha Basha.