Bashkëshorti bën dedikim prekës për gruan dhe foshnjën që Covid s`i la të jetojnë

Një shtatzënë e moshës 40-vjeçare nga Gjakova, ka ndërruar jetë në mëngjesin e sotëm në Klinikën Infektive të QKUK-së, si pasojë e infektimit me Covid-19.

E ndjera kishte pasur probleme neurologjike dhe ishte në javën e 28-të të shtatzënisë.

“Klinika Infektive e QKUK-së njofton se gjatë orëve të para të datës 21.04.2020 në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike ka ndërruar jetë pacientja V.P. me vendbanim në Gjakovë (1980) e diagnostikuar me Covid-19. E njëjta, ishte shtatzënë dhe po trajtohej në mjekimin intensiv të klinikës që prej datës 15 prill 2020”, thuhet në njoftimin e Infektives.

Shtatzëna nga Gjakova la pas dy fëmijë.

Bashkëshorti i saj ka bërë një mesazh prekës në rrjetet sociale.

“Aq shumë e deshte jetën sa që luftove deri në momentin e fundit për jetën tande bashkë me jetën e foshnjës në kraharorin tand. Tani me foshnjën tande në parajsë gëzoni lumturinë e jetës së amshuar. Ishe një grua, nënë, bijë, motër, nuse shumë e qetë, plotë lumturi, dashuri, kujdes për të tjerët. Tani ju, nanë e foshnje, jeni engjëj në qiell, të cilët luteni për ne e na mbroni. Mos na harro”, ka shkruar bashkëshorti i saj./mediafokus.info