‘Bashkimi i votës’ solli katër shqiptarë në Asamblenë e Cyrihut
Përparim Avdili (FDP), Reis Luzhnica, Islam Alijaj dhe Gadaf Muharemi, të tre nga SP, flasin për zgjedhjen e tyre në Parlamentin (Asamblenë) e Qytetit të Cyrihut.
Të dielën që shkoi, më 13 shkurt, u mbajtën zgjedhjet për asamblenë dhe për ekzekutivin e qytetit të Cyrihut. Dhe zgjedhjet në qytetin më të madh të Zvicrës, kanë gjithmonë një rëndësi që shkon përtej përmasave lokale dhe regjionale.
Një rëndësi të veçantë këto zgjedhje këtë vit patën edhe për komunitetin e këtushëm shqiptar, i cili Cyrihun me regjionin rreth tij e ka “bastionin” kryesor në Zvicër e më gjerë.
Arsyeja për këtë është se, sikur asnjëherë më parë, u zgjodhën 4 politikanë të rinj nga ky komunitet, i cili deri vonë identifikohej shpeshherë si komunitet me probleme në integrim dhe probleme me ligjin.
Në mesin e 125 personave që kanë zënë vend në parlamentin e Cyrihut, numri prej 4 emrash e mbiemrash shqiptarë është mjaft i madh, ndonëse ende nuk pasqyron përqindjen e shqiptarëve në popullatën e këtushme.
Pos atyre që arritën të sigurojnë vend në asamble, edhe disa nga kandidatët tjerë, me numrin e votave kanë qenë afër për t`u zgjedhur.
Kjo vlen sidomos për kandidaten e SP-së, Arjeta Zhuta, e cila ka fituar 3724 vota dhe me këtë pozicion, mund të bëhet asambliste në rast të avancimit ose tërheqjes gjatë këtij mandati, të ndonjërit nga të zgjedhurit.


