BE do të japë 200 milionë doza më shumë për vendet e varfra

Bashkimi Evropian (BE) do t’i japë 200 milionë doza shtesë të vaksinës Covid-19 për vendet e varfra, deri në mesin e vitit 2022, përveç 250 milionë dozave tashmë të premtuara, njoftoi të mërkurën Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen.

“Është një investim në solidaritet dhe është gjithashtu një investim në shëndetin global” – tha Ursula von der Leyen në Parlamentin Evropian, duke theksuar se nëse në Bashkimin Evropian janë vaksinuar më shumë se 70% e të rriturve, “më pak se 1% e dozës së vaksinës u administruan në vendet e varfra”.

Këto dhurime bëhen kryesisht përmes mekanizmit ndërkombëtar të shpërndarjes Covax, i cili supozohet se do të mundësojë 92 shteteve dhe territoreve të varfra të marrin vaksina falas, të financuara nga shtete më të zhvilluara.

Por themeluesit e këtij mekanizmi, përfshirë Aleancën e Vaksinave (Gavi) dhe OBSH, denoncojnë rregullisht pabarazinë e dukshme në qasjen ndaj vaksinimit midis popullsive të vendeve të varfra dhe vendeve të pasura, të cilët kanë filluar të administrojnë një dozë të tretë përforcuese.

Covax deri më tani ka qenë në gjendje të shpërndajë vetëm 243 milionë doza në 139 vende të paprivilegjuara, tha Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (Unicef) më 8 shtator.