BE: Keq që serbët e Kosovës nuk votuan në Kosovë

Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, ka ripërsëritur qëndrimin e Bashkimit Europian lidhur me pamundësinë e serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në referendumin lidhur me ndryshimet kushtetuese në Serbi.

Stano ka shprehur keqardhje se të gjithë serbëve të Kosovës me të drejtë vote, do duhej t’ju ishte krijuar mundësia për të votuar përmes operacionit të mbledhjes së kutive të votimit të lehtësuar nga OSBE/ODHIR.

“Qëndrimi ynë ishte shumë i qartë. Të gjithë serbëve te Kosovës me të drejtë vote, duhej t’ju ishte krijuar mundësia për të votuar përmes operacionit të mbledhjes së kutive të votimit të lehtësuar nga OSBE/ODHIR. Ne shprehim keqardhje që operacioni i mbledhjes së kutive të votimit nuk ndodhi. Këto operacione kanë ndodhur në të shkuarën dhe kjo është një praktikë që është vendosur dhe zhvilluar për një periudhë afatgjatë. Kjo ka ndodhur në 2012, 2014, 2016, 2017 dhe 2020. Ndaj, kjo është vërtet për të ardhur keq. Për t’a bërë këtë operacion të mundshëm duhej aprovimi i të dy palëve”, ka deklaruar Stano.

Sipas tij, edhe pse Bashkim Europian ka lehtësuar negociatat midis Prishtinës dhe Beogradit përmes OSBE/ODHIR, në fund të fundit, i takon palëve që të negociojnë një marrëveshje mbi këtë.

“Edhe pse nuk ekziston një marrëveshje e tillë mbi organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovës në kuadrin e dialogut, ne presim që palët të fillojnë të negociojnë modalitetet e dakortësuara midis tyre, që do të lejonin serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Serbi dhe ne jemi të gatshëm që ta lehtësojmë këtë” është shprehur ai.