Befason Kurti, tash ia njeh kapacitetin intelektual e patriotik Thaçit

Albin Kurti ka adaptuar një sjellje të re ndaj Presidentit Thaçi duke paralajmëruar se me të do të konsultohet e koordinohet për punët e shtetit.

Atë që e tha para pak ditësh, e konkretizoi sot në një letër ku Thaçin e ftoi për takim për t’u koordinuar para udhëtimit në Gjermani.

Në letër Kurti ia njohu “kapacitetin tone intelektual e patriotik” dy pika këto për të cilët dikur e kritikonte fort.

Sido që të jetë, Kurti e Thaçi për dialogun me Serbinë do të flasin krye në vete në Munich ku do të jetë edhe Vuçiq.

Vullnetin e shprehur para pak ditësh për koordinim me Thaçin sa i përket diplomacisë dhe politikës së jashtme, Kurti sot e ka konkretizuar me një ftesë për presidentin, para udhëtimit në Berlin.

Megjithatë pak minuta pas ftesës zyrtare të Kurtit, nga presidenca kanë njoftuar se Thaçi vetëm kishte marrë rrugën për Mynih.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me anë të letrës zyrtare ka ftuar sot në takim Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të bashkërenduar qëndrimet për politikën e jashtme, para udhëtimit në Konferencën për Siguri në Munih të Gjermanisë”, thuhej në njoftimin e kryeministrisë.

Megjithatë s’ka vonuar shumë dhe presidenca ka lëshuar një njoftim për media në të cilën tregohej se Thaçi është nisur për në Gjermani.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Munihut”, njofton presidenca.

Por, Kurti në letër nuk i kurseu fjalët e mira për Thacin. Madje e tha pikërisht të kundërtën që e thoshte si opozitar.

“Le ta japim tere kapacitetin tone intelektual e patriotik ne prezantimet e takimet qe do t’i bejmë” ka shkruar Kurti.

Vetëm këto dy cilësi “intelektualizimin” e “patriotizimin” nuk ia ka njohur asnjëherë, madje për këto dy cështje e ka sulmuar së shumti.

Hashim Thaçi në Berlin ka treguar se do të takohet me dy senatorët amerikan Ron Johnson e Chris Murphy të cilët gjatë vizitës së tyre të fundit në Prishtinë, kërkonin që Kosova dhe Serbia të bëjnë sakrificë për arritjen e marrëveshjes finale.

Presidenti atje do të takohet edhe me Ndihmës sekretarin e Departamentit të Shtetit, Philip Reeker, pastaj me Drejtorin Politik të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore.

Përveç zyrtarëve amerikanë e britanikë, Thaçi do të takohet edhe më Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajcak, emri i të cilit është përfolur për pozitën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd.

Gjithashtu Thaçi do të takohet edhe me Përfaqësuesin Special të Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në një kohë kur ky i fundit është duke kërkuar prerë që Kosova të heq taksën 100 % ndaj produkteve të Serbisë./GazetaExpress/