Beqir Musliu, një emër i shquar i letërsisë shqipe
Sabit RRUSTEMI
(Në hapjen e veprimtarive letrare për Beqir Musliun, në 30 vjetorin e kalimit në amshim, përmes një Tryeze letrare në kuadër të Manifestimit kombëtar të kulturës, “Flaka e janarit”, si dhe veprimtarive të tjera përgjatë gjithë vitit 2026)
Beqir Musliu (11.VI.1945– 24.VI.1996) është një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Ai është ndër të paktët autorë që krijoi një poetikë të pavarur, të ndërtuar përmes figuracionit artistik, mitin, simbolikën e dendur dhe një gjuhë të rafinuar metaforike, duke e larguar poezinë dhe prozën shqipe nga skemat e realizmit socialist dhe duke krijuar një model tjetër moderniteti në letërsi.
Ai nuk u zmraps nga disa zëra kritikë që e cilësonin artin e tij si tepër të mbyllur – hermetik.
Përkundrazi, vetëm sa e thelloi dhe më shumë duke e krijuar një “mal të dendur arti”, i cili nuk shijohet vetëm me një lexim.
Poetika dhe roli i metaforës
Beqir Musliu u shfaq në letërsinë shqipe në fillim të viteve ’60, me poezi të botuara në “Jeta e re”.
Vëllimet e para poetike—Rima të shqetësuara (1965), Lulëkuqet e gjakut (1966), Bukuria e zezë (1968), Sezamet (1972), Parabola (1976), Darka e magjisë (1978)—shënojnë ngritjen e një poetike që i afrohet hermetizmit, ku fjala nuk është përshkruese, por enigmatike, bartëse e kodeve, e pulsionit të brendshëm të realitetit.
Në një kohë kur letërsia zyrtare synonte thjeshtësinë, transparencën ideologjike dhe “figurën e pastër”, Musliu sjell një metaforë të ngjeshur, të nxjerrë nga memoria gojore, mitologjia dhe arketipet kulturore shqiptare.
Tek ai, metafora nuk është ornament, por strukturë poetike, e cila rikthen në letërsinë e shkruar rezonancën e epikës, jehonën e folklorit dhe energjinë e fjalës arkaike.
Beqir Musliu nuk ishte imitativ, as përshtatje e modeleve perëndimore.
Krijimet e tija poetike, ishin dhe mbeten thellësisht artistike, me përplot figuracion, përkundër faktit se nga disa kritikë u cilësua si hermetizëm.
Realisht ai mjeshtërisht e “fshehu” mendimin dhe porosinë e shprehur përmes artit të krijimit, thjeshtë për ta veçuar nga të folurit e përditshëm, duke e ngritur në një nivel më të lart poetik, po, falë dhe një përvoje jetësore përballë një pushteti shtypës, ai foli me bashkëkombasit e tij përmes një arti të koduar, alegorisë, artit gojor të traditës shqiptare, mitikës së antikitetit dhe librave të shenjtë që e njihte fare mirë.
Kjo e bëri poezinë e tij të komunikojë në dy nivele – me lexuesin e momentit dhe me lexuesin e së ardhmes.
Natyrisht, kulmin e poetikës me krijime letrare, Beqir Musliu e arrin me kryelibrin e shtatë njësive poetike, ORFEIANËN, që thënë shkurt, është një nga kryeveprat e letërsisë shqipe, anise fare pak është kundruar nga studiues apo dhe kritikë letrarë, të cilët sikur ngurrojnë t’i qasen edhe sot, mbase shkaku i një ”pylli” të dendur me figuracione të nduardurshme letrare.
E ardhmja, pres ta zbërthejë ashtu si e meriton dhe pa dyshim, pse jo, ta shpall librin e librave apo Biblën e re të poezisë shqipe.
Moderniteti alegorik dhe universi i absurdit në prozën e Beqir Musliut
Me romanin “Vegullia” (1979) dhe sidomos me “Mbledhësit e purpurit” (1982), Beqir Musliu e zgjeron vokacionin e vet estetik në prozë, duke krijuar një prozë të fortë alegorike, që shpesh lidhet me traditën e Kafkës, Gombroviçit dhe prozës ballkanike që në focus ka absurdin.
Këto romane nuk ndërtohen mbi narracion linear, por mbi situata arketipike, mbi tensionin midis individit dhe strukturave të padukshme të pushtetit, mbi një atmosferë të errët ku rëndom realja dhe fantazia shkrihen në një të vetme.
Në “Mbledhësit e purpurit”, bota funksionon si një kod i ri, ku ngjarjet nuk janë reale, por të “përkthyera”, të shndërruara në mite të shekullit XX.
Kjo prozë është ndërtuar mbi simbolikën rituale, arketipet kolektive, dramën metafizike si dhe konfliktet midis qenies dhe mekanizmit të pushtetit.
Pesë romanet e tij, botuar pas vdekjes , “Ndeshtrasha”, “Skërluta”, “Makthi”, “Krupa” dhe “Amullia” e dëshmojnë vazhdimësinë e një universi prozaik që nuk ndërtohet mbi ngjarje, por mbi dije figurative, metaforike e mbi struktura të brendshme që kërkojnë lexues të stërvitur.
Teatri i fjalës dhe energjia e mitit
Mes viteve 1970–1995, Musliu ndërtoi një opus të rëndësishëm dramatik, që në kohën e vet nuk u vlerësua sa duhej. Dramat si “Murana”, “Kori i korbave”, “Familja e shenjtë”, “Antifona”, “Shtrigani i Gjel-Hanit”, “Faustiana”, “Ora e kukuvajkës”, etj., e çojnë përpara idenë e teatrit të fjalës, ku dialogu nuk është vetëm komunikim, por ritual, kod, lëvizje e nëntekstit.
Dramat e Musliut janë pjesë e një tradite moderne ku personazhet janë figura të “zvogëluara”, simbole më shumë se identitete ku hapësira është e kufizuar dhe shpesh metafizike, ku konfliktet nuk janë veç sociale po edhe antologjike, brenda së cilës absurdi dhe tragjikja ndërthuren si në skenën reale të jetës.
Ai e rikthen në teatër mitin, simbolet arkaike, këngën e korin, duke ndërtuar një formë që i afrohet dramës rituale.
Publicistika dhe kritika teatrore
Punës së tij si gazetar e redaktor në “Zëri i rinisë”, “Rilindja” dhe “Jeta e re” i detyrohemi një sasi e madhe shkrimesh publicistike e kritike.
Veçanërisht e rëndësishme është publicistika teatrore: Musliu i lexon dramat si tekste, por edhe si shfaqje, duke analizuar lojën aktoriale, regjinë, ritmin, ndërveprimin skenik.
Këto shkrime nuk janë vetëm informuese, por kritikë estetike e mirëfilltë, që dëshmojnë një horizont të gjerë kulturor dhe një nivel të lartë prej intelektuali.
Vendi i Beqir Musliut në kanonin letrar shqiptar
Duket se deri tash, figurën letrare dhe vendin prej shkrimtari të Beqir Musliut e ka përcaktuar më së miri, shkrimtari dhe njjeriu më i përafërt i tij, Teki Dërvishi, që konstaton: “Ai i pari dhe më së miri e ngjalli metaforën e harruar të artit gojor shqiptar në letërsinë e shkruar.”
Dhe kjo është thelbësore, sepse Beqir Musliu ringjalli metaforën e epikës në letërsinë moderne, e pastroi gjuhën poetike nga ideologjia, e bëri mitin pjesë të poetikës bashkëkohore, ngriti të shprehurit poetik në nivel të poetikës kombëtare dhe kështu krijoi një univers të pavarur letrar.
Në këtë kuptim, Ai hyn ndër themeltarët e modernitetit metaforik në letërsinë shqipe.
***
Dosido, krijimtaria e Beqir Musliut mbetet një nga korpuset më të pasura, më komplekse dhe më pak të vlerësuara në letërsinë shqipe.
Veprës së tij, qoftë asaj të botuar, po dhe asaj të mbetur në dorëshkrim, i duhet një paraqitje e kompletuar në publik për t’iu nështruar vlerësimit kritik nga studiues bashkëkohorë që njohin mire e mirë trended kombëtare e ndërkombëtare të letërsisë, duke ia lehtësuar më shumë lexuesit thellimin dhe shijimin e gjithë asaj vlere që fshihet brenda kopertinave të gjithë trashëgimisë letrare që e krijoi, duke e përkthyer njëkohësisht, për ta hedhur dhe në tregun europian e më gjerë për ta vlerësuar dhe vendosur aty ku realisht e meriton.
Në 30-vjetorin e kalimit në amshim, rishikimi i kësaj vepre nuk është vetëm detyrim letraro- artistik, por edhe detyrim kulturor e kombëtar, sepse Musliu është një ndër ata shkrimtarë që i dhanë letërsisë shqipe dimension të ri – dimensionin e metaforës si mënyrë e re e të menduarit dhe të kuptuarit të botës, duke e e paraqitur përmes artit të fjalës, ashtu siç është dhe si do duhej të jetë.
(Nga Rrezja e Çepurit-Zhegër, 23 janar 2026)
____________
Autir i portretit Demush R. Avdimetaj

