Berisha thotë se nga VV-ja s’ka pasur luftëtarë, reagon Konjufca duke i numëruar ata
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka replikuar me deputetin e PDK-së, Hisen Berisha, pasi ky i fundit tha se nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur deputetë që kanë qenë pjesë e luftës për liri.
“Kur po thoni që keni komplekse që s’keni qenë pjesë e asaj lufte, fillova t’i shoh grupet parlamentare dhe në LDK po e shoh një që ka qenë, VV po shoh i shoh pesë e në PDK po i shoh dy. Kjo është gjendja aktuale qysh po ju shoh tash, nuk bën të hyhet andej sepse ka të secilit grup parlamentar që ofendohen sepse kanë qenë pjesë e UÇK. Prandaj është gabim të flitet në mënyrë monopolizuese për luftën çlirimtare. Nuk është në rregull të flitet prej dimensionit të komplekseve se kush ka qenë e kush s’ka qenë”, ka thënë Konjufca.
Por sërish për këtë replikë ka reaguar deputeti i PDK-së, Hisen Berisha. Ai ka thënë se kategoria më e diskriminuar në Projektligjin për paga janë veteranët.
Berisha akuzoi deputetët e Vetëvendosjes se ka pasë shumë “shpërfaqje dhe tendenca për të mohuar vlerat e luftës dhe veteranët në veçanti”.
“Nëse keni komplekse nga fakti që s’keni qenë në periudhën e duhur pjesë e madhështisë së luftës për liri që të jetë veteran i kësaj luftës, invalid apo familje dëshmori nuk është e denjë dhe e ndershme t’i luftoni këto vlera”.
Berisha në foltore të Kuvendit tha se kategoria e veteranëve duhet të ngritët dhe duhet bërë me përkujdesje.
“I keni dhënë pension social 170 euro dhe i pamundësohet të punojë askund tjetër. Pra, e keni shndërruar në një person të varfër dhe të pa dinjitet dhe kënd – njeriun më dinjitoz që e meriton të jetë njeriu më i respektuar në shoqërinë tonë. Mund të ciceroni sa të doni që jo e kanë bërë ata. Edhe atëherë edhe tash është keq. Keni ardhur me premtimin për ndryshim, urdhëroni bëjeni. Dhe mos e përdorni atë frazeologji që është bërë bajat “për 20 vite” se s’është e vërtetë”./EO

