Bërnabiq: Nuk ka marrëveshje me Kosovën, Kurti është një fanatik ideologjik

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić, deklaroi sot se “nuk ka bisedime dhe marrëveshje me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe nuk do të ketë marrëveshje të përbashkët”.

Bërnabiq përsëriti se takimi në Tiranë ishte “shumë i stuhishëm dhe i vështirë” dhe se ishte një takim përgatitor për 15 qershor në Bruksel, në të cilin do të marrë pjesë presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

E pyetur se si e komentoi ajo faktin që Kurti akuzon Serbinë për gjenocid, Bërnabiq tha se ai ishte “një fanatik ideologjik me zero pragmatizëm”, transmeton Gazeta Sinjali.

“Ai kërcënon Serbinë me procese gjyqësore për gjenocid çdo ditë. Le të bëjë një proces gjyqësor dhe pastaj le të thotë çfarë të dojë, le të provojë atë që ka, por mos kërcënoni, sidomos jo në takimet rajonale, mos bëni cirk”, tha ajo për TV Prva.

“Fakti që tani kemi elita politike në Prishtinë, njerëz që nuk duan të flasin, është një katastrofë për të gjithë rajonin dhe do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për presidentin (Vuçiq) më 15 qershor”, ka shtuar ajo.