Besart Kasumi ia del të realizojë ëndrrën e tij të zhytjes, suksesin ia dedikon babait të tij

Besart Kasumi, djali i zhytësit të njohur kosovar, Ismajl Kasumi, njëherësh ushtar i FSK-së ia doli ta realizojë ëndrrën e tij të kamotshme.

Zhytja përmes harkut nënujor në Blue Hole të Dahabit, Egjipt, me një thellësi prej 56 metrash, kalimi i portës me një gjatësi prej 35 metrash dhe dalja në det të hapur, ishte synimi i tij.

“Më në fund ia dola ta realizoj ëndrrën time jetësore: zhytjen përmes harkut nënujore në Blue Hole të Dahabit, Egjipt, me një thellësi prej 56 metrash, kalimin e portës me një gjatësi prej 35 metrash dhe daljen në det të hapur”, ka thënë Besart Kasumi.

Kjo ekspeditë u realizua me ndihmën e miqve dhe dashamirë të tij.

Ai falënderon në mënyrë të veçantë bashkëshorten dhe fëmijët e tij për kohën që u ka munguar gjatë përgatitjeve dhe qëndrimit larg tyre për një kohë të gjatë.

Po ashtu, falënderon familjen dhe shoqërinë, të cilët besuan tek ai dhe Besarti ia doli me sukses.

“Në këtë vend të mrekullueshëm, të njohur si “Everesti i Zhytësve”, ku për ta realizuar këtë zhytje fatkeqësisht kanë humbur jetën rreth 200 zhytës nga e gjithë bota, ndjeva një përvojë të jashtëzakonshme. Tradita ime familjare në zhytje, e trashëguar nga babai im Ismajl Kasumi, te cilit edhe ia dedikoj këtë zhytje, profesioni im si instruktor i zhytjes dhe përkrahja e madhe e shokëve të mi rreth organizimit, përcjelljes dhe mbështetjes së tyre morale e të palodhshme fizike e teknike, më mundësuan ta përfundoj me shumë sukses dhe sipas planit këtë zhytje. Një ndjesi përmbushëse shpirtërore dhe profesionale”, ka shkruar Besarti./Sabedin Sherifi