‘Besën që ia kam dhënë babës, nuk e thej deri sa të vdes’, mesazhi i 17-vjeçarit që vrau për hakmarrje
Dy ditë pas krimit të rëndë në Lezhë, ku një 65-vjeçar mbeti i vrarë për motive gjakmarrjeje, detaje të reja dalin në dritë.
Disa orë pas ngjarjes së ndodhur në fshatin Manati, autori i këtij krimi, 17-vjeçari Florian Përvathi, mësohet se ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike, por në asnjë moment nuk ka shfaqur pendesë për atë çfarë ka bërë, shkruan panorama.com.
Në dëshminë e parë në Polici ditën e ngjarjes, adoleshenti i cili u vetëdorëzua, ka thënë se krimin e kishte kryer për të marrë hakun e babait të vrarë nga vëllai i fqinjit në vitin 2009.
Ndue Lekgjonaj vrau me armë zjarri Gjon Përvathin dhe në të njëjtën ditë gruaja i dha fund jetës, duke pirë fotoksinë.
Në këtë mënyrë, mbetën katër fëmijë jetimë. Përveç babait të vrarë, nga përplasja me makinë mbeti i plagosur edhe vëllai i madh i Florianit, i cili qëndroi gjashtë muaj në paterica.
Katër fëmijët e familjes Përvalli u rritën nga të afërmit në të njëjtën banesë ku i lanë prindërit e tyre.
Nga një kërkim të thjeshtë në llogarinë e tij në rrjete sociale, i riu shihet se ka pasion pikturën dhe këngën, ndërsa merrej edhe me karate.
“Mos u dorëzo kurrë, gjërat e mëdha kërkojnë kohë”, ky është një nga postimet e Florianit, i cili planet për vrasjen nuk i kishte konsultuar me askënd.
Në një tjetër këngë të postuar nga adoleshenti, thuhet se: “S’jam ai tipi që e pi, s’jam ai tipi që e shes, besën që ia kam dhënë babës nuk e thej deri sa të vdes”.

