Besimtarët myslimanë festojnë Bajramin, Tërnava thërret për qetësi në veri
Në Kosovë, manifestimi qendror i Kurban Bajramit është mbajtur në Xhaminë e Madhe në kryeqytet.
Namazi i Kurban Bajramit u fal në orën 5:38, nën prirjen e kryeimamait të Prishtinës, Burhanudin ef. Hashani, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban Bajramit e ka mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.
Duke u lutur që të mbretërojë paqja, harmonia, solidariteti te njerëzit, Tërnava përmendi edhe elemente negative në shoqërinë tonë dhe gjetkë, duke nënvizuar dhunën në familje, përdorimin e alkoolit, përfitimin e pandershëm etj.
Myftiu Tërnava ka shprehur shqetësimin e tij edhe për shtimin e dhunës në familje si dhe për rritjen e numrit të divorceve e rënien e lindjeve.
Myftiu foli edhe për gjendjen e sigurisë, duke kërkuar shtensionim të situatës. Ai ka kërkuar që Qeveria e institucionet ndërkombëtare të punojnë në këtë drejtim.
“Të nderuar vellezer dhe motra kjo festë është edhe shoqërore ndaj përkushtimi për shoqërinë është obligim i fesë islame ashtuqë askush të mos ndihet i privuar nga të mirat materiale, prandaj të qëndrojmë të solidarizuar dhe në harmoni me njëri-tjetrin”.
“Veprat e këqija janë ato që e cënojnë fenë islame, dhuna e çdo lloji, tradhëtia bashkëshortore, bixhozi, alkooli, të gjitha këto janë pothuajse të njëjta”, tha Tërnava.

