BIK në Podujevë e konfirmon mbylljen e xhamisë pas rrahjes së mbrëmshme

Bashkësia Islame e Kosovës, përmes një komunikate, ka reaguar rreth përleshjes që ka ndodhur mbrëmë te xhamia në fshatin Halabak të Podujevës. Ashtu siç raportoi Sinjali, BIK e ka konfirmuar se kjo xhami është mbyllur përkohësisht, derisa të merret një vendim tjetër.

Në komunikatë thuhet se në xhaminë ku ka ndodhur incidenti, kishin lëshuar autorizim për kryerje të riteve fetare deri në një vendim i cili do të ishte i pranueshëm për të gjithë banorët e atij fshati.

Sinjali ka raportuar se konfliktet te xhamia e fshatit Halabak të Podujevës veçse janë rritur dhe tashmë kanë eskaluar edhe në dhunë fizike. Një sherr i tillë plasi pasditen e së shtunës dhe motivi lidhet me pakënaqësitë e disa banorëve me imamin e emëruar nga Bashkësia Islame e Kosovës në Podujevë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se tre persona ndodhen në arrati lidhur me këtë rast dhe të njëjtit dyshohet se i sulmuan katër të tjerë, për shkak të pengimit të imamit, Hyzdri Murseli. Sinjali mëson se bëhet fjalë për dy vëllezërit Xhakolli, Avdiu dhe Sabedini, si dhe i dyshuari tjetër Fikri Kosumi, të cilët ndodhen në arrati.