Bislimi: Qeveria nuk ka garantuar se Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive

Ka shumë dilema për punën e draft-statutin e Asociacionit se a ka kompetenca ekzekutive apo nuk ka. Pushteti, pra kryeministri, Albin Kurti ka thënë se drafti është më i “avancuar”, ndërsa zëvendësi i tij, Besnik Bislimi thotë se “Qeveria nuk ka garantuar se Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Qeveria nuk ka garantuar nëse draft-statuti i Asociacionit është në përputhje me Kushtetuën e Kosovës.

Ai ka thënë se për këtë gjë vendos Gjykata Kushtetuese teksa ka shtuar se ndërkombëtarët iu kanë thënë se drafti nuk ka kompentenca ekzekutive.

“Gjykata Kushtetuese e vendos nëse draft-statuti i asociacionit parasheh kompetenca ekzekutive për komunat me shumicë serbe. Qeveria nuk ka garantuar që nuk ka shkelje kushtetuese”.

“Ne kemi thënë se ky është draft që na është sjellë nga ndërkombëtarët dhe nuk është përpiluar nga ne, ndërkombëtarët kanë thënë se nuk ka kompetenca ekzekutive dhe ne nuk jemi Gjykatë Kushtetuese, rrjedhimisht ata e kanë për detyrë me tregua ka apo nuk ka.” – ka thënë ai për RTV 21.

Tutje, ai ka thënë se nuk do të ketë zbatim të marrëveshjes pa nënshkruar Serbia, ndërsa për çudi ka pasur fjalë të mira për opozitën.

“Në qoftë se ka ata duhet të thonë kjo duhet të ndryshohet. Është mirë që opozita ka vërejtjet dhe sugjerimet e tyre për draftin, për këtë është edhe roli i opozitës. Nuk ka zbatim të marrëveshjes pa nënshkrim nga pala serbe”, ka thënë Bislimi.

Mirëpo, për dallim prej Bislimi që është treguar më i përmbajtur, shefi i tij, kryeministri, Albin Kurti, kishte thënë se draft-statuti është më i avancuar.

Megjithatë, Kurti kishte thënë se i ka dërguar komentet e tij për këtë draft-statut.

“Është e çartë se ai draft statut është pakrahasimisht më i avancuar se siç kanë qenë në 2013 e 2015. Këtu janë çështjet e përmbajtjes, por unë do të thosha që kryesorja është se ky draft statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh kjo gjë. Pra, së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës e që është shteti demokratik, Republika e Pavarur e Kosovës dhe në anën tjetër, megjithatë, unë kam dërguar vërejtjet, komentet, kritikat e mia për këtë draft me datën 24 tetor, me qenë se natyrisht nuk është një draft i cili do të shkruhej prej meje saktësisht asisoj”, kishte thënë Kurti.

Ndërsa, kryetari i Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se nëse koncepti i vetmenaxhimit nuk ndërtohet mbi marrëveshjen e Ohrit, atëherë as Kosova s’ka obligim që të bëjë hapa në drejtim të Asociacionit.

Sipas Konjufcës, Kosova nuk ka arsye që ta formojë Asociacionin nëse nuk merr njohje nga Serbia.

Në anën tjetër partitë opozitare edhe pse e kanë pranuar draftin, deri më tani nuk kanë treguar qëndrimin e tyre.

Por para se ky draft t’i dorëzohej atyre ata kishin kritikuar pushtetin për pranimin e draftit pasi sipas tyre ka kompentenca ekzekutive.

Kujtojmë se Qeverisë së Kosovës i kërkohet të formojë Asociacionin e komunave me shumice serbe si një hap me rëndësi për rrugnë përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.