Bizneset në Kosovë përballen me rritje drastike të çmimit të energjisë

“Nëse vitin e kaluar kemi paguar fatura me vlerë 430 mijë euro, tash mund të jetë 800 deri në 1 milion euro”. Kështu e përshkruan gjendjen aktuale Shaqir Palushi, pronar i një kompanie në Kosovë, vetëm një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit për dalje në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Nga 1 gushti 2025, të gjithë konsumatorët që nuk kanë lidhur kontrata me furnizues të licencuar do të kalojnë automatikisht nën furnizim të përkohshëm nga KEK, si Furnizues i Mundësisë së Fundit.

Lidhur me këtë çështje, KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Qeverinë e Kosovës dhe në KEDS, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kësaj teme.

Palushi thotë për KosovaPress se kontratat kanë ardhur me vonesë dhe çmimet janë shumë më të larta se më parë.

Ai ka lidhur kontratë tremujore me KESCO-n, por me çmim jo fiks, i lidhur me bursën hungareze dhe marzhat e furnizuesit.

“Ne në fakt dje e kemi nënshkruar një kontratë tremujore me KESCO-n. Çmim fiks nuk do të kemi, sipas marrëveshjes është çmimi i bursës hungareze plus marzhat e parapara nga ky operator. Por, përveç kësaj ne jemi të obliguar, madje sot të bëjmë një parapagim sa mesatarja e faturës, e që ka vlerën rreth 99 mijë euro, që në fakt nëse bazohemi nga faturat e vitit të kaluar për periudhën e njëjtë i bien rreth 150 për qind më e lartë. Çmimi nuk është fiks, por variabel, por gjithsesi është çmim së paku 150 qind më i lartë…

Nëse vitin e kaluar, përgjatë gjithë vitit kemi paguar fatura me vlerë 430 mijë euro, tash, sipas parashikimit domethënë, se nuk është fikse, mund të jetë 800 deri në 1 milion euro. E mira është që jo të gjithë kompanitë duket sa kam informacione e kanë nënshkruar me KESCO-un dhe ne kështu do të kemi brenda këtyre tre muajve do të shohim edhe faturat, për shembull, do t’i krahasojmë çmimin që do ta kemi ne si kompani dhe kompanitë tjera do të do të marrin nga operatorët e tjerë dhe do të shohim”, thotë Palushi.