Bogën e Prevallën nuk mund t`i vizitoni më pa pare
Shumë shpejt, qytetarëve të Kosovës do t’u duhet të paguajnë që të hyjnë në Bogë, Prevallë, Rugovë dhe parqet e tjera nacionale në vend. Laurat në hyrje të këtyre parqeve tashmë janë vendosur, vetëm po pritet një vendim i Ministrisë së Ambientit për të filluar me pagesat.
Tash e dy vite, është dhënë paralajmërimi se parqet nacionale në vend do të bëhen me pagesë, janë vendosur edhe laurat në hyrje të këtyre parqeve dhe ka mbetur të fillojë pagesa pasi të merret vendimi.
“Në aspektin teknik laurat në hyrje të parqeve janë përgatitë, ndërsa për aktivizimin e pagesave ende nuk ka filluar, në momentin që do të merret vendim nga Ministria/AMMK atëherë do t’u informojmë”, ka deklaruar Ministria e Ekonomisë.
Nga kjo Ministri janë deklaruar edhe për arsyen e vendosjes së pagesave për hyrje në këto parqe.
Zëdhënësi i MEA-së, Bajram Kadriu, ka thënë se qëllimi kryesor i vendosjes së laurave është mbrojtja e këtyre resurseve natyrore nga veprimet ilegale, siç janë prerja e pyjeve, ndërtimet dhe gjuetia ilegale dhe degradimet e tjera.
“Me legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës, si dhe menaxhimin e parqeve kombëtare janë të parapara kompensimet për çdo lloj të shfrytëzimit të resurseve dhe hapësirës së parqeve kombëtare nga bizneset dhe vizitorët, si dhe për hyrjet në territorin e parqeve kombëtare.
Prandaj qëllimi kryesor i vendosjes së laurave është për mbrojtjen e këtyre resurseve natyrore nga veprimet ilegale që ndodhin në territorin e Parqeve Kombëtare siç mund të jenë: prerja e pyjeve, ndërtimet ilegale, gjueti ilegale si dhe degradimet tjera”, ka deklaruar Kadriu.
E përveç mbrojtjes nga degradimet, arsyeja tjetër pse po vendosen këto laura është edhe për të siguruar të hyra të cilat do të përdoren për përmirësim të infrastrukturës në parqe.
“Qëllim tjetër është edhe vendosja e sistemit të pagesave hyrëse në këto qendra turistike nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës për të siguruar të hyra të cilat këto mjete do të përdoren për përmirësimin e infrastrukturës (rregullimin e parkingjeve, vendosjen e tabelave informuese, menaxhimin me mbeturina, shenjëzimin e kufirit të Parqeve Kombëtare etj.)”, ka thënë Kadriu.
Por, sa do të duhet të paguajnë qytetarët për t’i vizituar këto parqe?
Bazuar në tabelën me çmime nga MEA-ja, çmimet për hyrje dhe vizita gjatë një dite në këto parqe fillojnë nga 50 centë e deri në 3 euro.


