Bordet e ndërmarrjeve publike, të “rezervuara” për burra

Bordet e ndërmarrjeve publike në shumicën e rasteve udhëhiqen nga burrat dhe fatkeqësisht kriter për emërim në këto borde, nuk është kualifikimi, por libreza e partisë, thotë Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në organizatën Joqeveritare Fol.

Ajo thotë se në Kosovë është bërë “traditë” që këto pozita të udhëhiqen nga burrat.

Kjo vërehet edhe në disa lista të kandidatëve të thirrur për intervistim, të publikuara në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës. Në listën e kandidatëve të thirrur për intervistë me gojë për Bordin e Drejtorëve “Infrakos”, janë gjithsej 51 kandidatë, kurse vetëm katër janë gra.

Qeveria në këtë ndërmarrje, në fund të muajit tetor, ka emëruar Bordin e përkohshëm në këtë kompani në përbërje katër anëtarë, vetëm një është grua.

Kurse, për drejtor në Bordin e Korporatës Energjetike të Kosovës, në listën e kandidatëve të përzgjedhur, të publikuar më 06.10.2020, janë gjithsej 72 kandidatë, prej tyre shtatë gra.

Në Bordin e Përkohshëm të kësaj korporate në fund të muajit tetor, qeveria ka emëruar tre burra dhe një grua.

Bordi i Drejtorëve është organi më i lartë qeverisës i ndërmarrjeve publike. Bordet përbëhen nga pesë ose shtatë anëtarë, të cilët përzgjidhen nga aksionarët, e që mund të jenë qeveria apo komunat.

Në bazë të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, qeveria është e autorizuar që të emërojë Bord të Përkohshëm të Drejtorëve për secilën ndërmarrje publike, për një periudhë gjashtëmujore.

Më pas, emërimi i anëtarëve të bordit me mandat të plotë, për disa ndërmarrje duhet të kalojë përmes votave të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.