Bosch në përkrahje të protestës: UÇK-ja ishin këmbët tona në terren, Specialja nuk është dashur të themelohej
Gjykata Speciale nuk është dashur të themelohej, andaj është mirë që po protestohet, thotë ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, pak orë para se në Prishtinë të mblidhen veteranë e qytetarë të tjerë për të shprehur kundërshtimet e tyre për mënyrën se si po punojnë Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një intervistë për KosovaPress nga Haga, Bosch thekson se protesta duhet të jetë e qetë dhe dinjitoze.
Specialja, e cila i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, ka seli në Holandë dhe funksionon me staf ndërkombëtar, edhe pse e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015. Atje po gjykohen ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
PS-ja e cila i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës, ka thënë se ish-eprorët e UÇK-së kanë qenë pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”. Avokatët hodhën poshtë të gjitha akuzat dhe argumentuan se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
“Është gjithashtu shumë e gabuar ta quash UÇK-në një organizatë kriminale, sepse, sigurisht, nuk është ashtu. Por unë isha gjithashtu i përfshirë personalisht gjatë luftës së Kosovës. Dhe në atë kohë, UÇK-ja ishin këmbët tona në terren, sepse ne nuk kishim njerëz në terren. Ata punonin për ne, për NATO-n. Dhe unë e di këtë, sepse isha i përfshirë. Pra, të thuash tani që ata janë një organizatë kriminale, atëherë ne kemi punuar me një organizatë kriminale, [ne] NATO. Gjithsesi, shpresoj që protesta të jetë, sërish, dinjitoze, paqësore, por që njerëzit duhet, sigurisht, të shohin që kjo çështje duhet të marrë fund”, thotë ish-ambasadori Bosch.

