Brenda dy ditësh del vendimi i Gjykatës Komerciale për mbylljen ose jo të Klan Kosovës

Ekzekutimi ose jo i vendimit për pezullim të licencës së Klan Kosovës, tashmë ka mbetur në duart e Gjykatës Komerciale.

Brenda kësaj kjo gjykatë do të vendosë rreth kërkesës së televizionit për masë të sigurisë, derisa vendimi përfundimtar sipas njohësve të sistemit të drejtësisë mund të marr kohë deri në 2 vite.

Brenda dy ditësh Gjykata Komerciale, pritet të vendos rreth kërkesën për caktim të masës së sigurisë, për rastin e Klan Kosovës.

Kjo gjykatë që trajton rastet e kontesteve tregtare dhe konflikteve administrative, tashmë ka pranuar padinë që ka bërë televizioni Klan Kosova, ndaj vendimit të MINT për pezullim të certifikatës së biznesit.

“Në Gjykatën Komerciale të Kosovës, përkatësisht Dhomat e Shkallës së Parë, më 1 gusht 2023, është pranuar padia për anulimin e vendimeve kontestuese dhe kërkesa për shtyrjen e ekzekutimeve të tyre. E njëjta sipas procedurave të gjykatës i është ndarë gjyqtarëve të Dhomave të Shkallës së Parë, dhe vendimi lidhur me këtë çështje do të merret brenda afatit ligjor prej tre (3) ditëve siç përcaktohet me dispozitën e nenit 27 paragrafi 1 të Ligjit për Gjykatën Komerciale”, kanë thënë nga Gjykata Komerciale.