Brenda një muaji janë konfiskuar 62 patentë-shoferë në rajonin e Gjilanit

Policia në Gjilan, gjatë muajit tetor 2022 ka shqiptuar 5922 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik si dhe janë konfiskuar 62 patentë-shoferë.

Në kontrollim teknik të jashtëzakonshëm janë dërguar shumë automjete dhe  automjetet të cilat kanë rezultuar me parregullsi teknike, janë përjashtuar nga trafiku, kurse ndaj vozitësve janë ndërmarrë masa ligjore.

Po ashtu janë shqiptuar kundërvajtje ndaj vozitësve të mjeteve motorike bujqësore të cilët gjatë kontrollit kanë rezultuar se nuk janë duke qarkulluar konform rregullave të trafikut rrugor.

Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor dhe Stacionet Policore të DRP Gjilan kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë pika të shumta të kontrollit të automjeteve me qëllim të prezencës sa më të madhe në terren dhe parandalimit të aksidenteve të komunikacionit rrugor, me theks të veçantë të aksidenteve me fatalitet, thuhet në njoftim.