Buka e bardhë, buka e zezë apo buka integrale, cila është më e mira

Shpeshë kemi dilema në familjet tona se çfarë buke të hamë: të bardhë, të zezë apo integrale.

Buka është nga produktet ushqimore më të lashta, e përdorur gjerësisht nga njerëzimi si bazë e ushqimit.

Ndërsa buka më e lashtë e gatuar e zbuluar, daton me më tepër se 5000 vjet.

Që në mesjetë prodhoheshin tre lloje buke: buka fare e bardhë për shtresën e njerëzve të pasur, buka gjysmë e bardhë për shtresën mesatare dhe ajo e zeza për shtresën e varfër.

Edhe sot buka zë një vend kryesor në dieten e përditshme.

Një pjesë e madhe e njerëzve edhe sot e përdorin shprehjen: “Ejani se u bë buka” ose “Buka gati!“, pavarësisht se atje është përgatitur një gjellë me patate.

Kalimi nga prodhimi artizanal në atë industrial, e ka bërë këtë produkt shumë më pak cilësor nga ç’ka qenë dikur.

A është buka e bardhë shkaktare e shumë sëmundjeve?

Buka e bardhë ka një indeks të lartë glicemik (GI), që do të thotë se lëshon energji shumë shpejt dhe kështu rrit sheqerin në organizëm.

Kjo është arsyeja pse ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë apo indirekte midis bukës së bardhë dhe diabetit, ku buka e bardhë e rrit dukshëm përqindjen për shfaqjen e diabetit.

Buka e bardhë mund të rrisë edhe rrezikun e kancerit.

Mielli i bardhë gjatë përpunimit i nënshtrohet një sërë procedurash që ndikon edhe më tej në humbjen e vlerave që ende mund të kenë ngelur.

Buka e zezë – integrale

Në bukën e zezë kokrra e grurit sintetizon dhe ruan brenda vitaminën E dhe kompleksin me vitamina B.

Vitaminat e grupit B në intereaksin me enzime të ndryshme, marrin pjesë në shumë reaksione që zhvillohen në qeliza sikur: metabolizmi i makrosubstancave ushqyese, sinteza e neurotransmetorve, prodhimin e energjisë etj.

Për dallim nga mielli i bardhë, mielli i zi përfitohet gjatë bluarjes së grurit për të bërë bukën, ku nuk largohen një pjesë e madhe e komponentëve të kokrrës së grurit apo të ndonjë drithi tjetër dhe së bashku me to edhe sasia e madhe e vitaminave.

Në bukën e zezë, këto vitamina dhe substanca të tjera ushqyese ruhen pothuajse komplet.

Cila është buka më e mirë për fëmijët?

Nuk ka asnjë dilemë se jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët ka shumë rëndësi që të ushqehen me bukë të zezë ntegrale.

Buka integrale është e gatuar nga mielli i grurit të bluar nga kokrrat e plota.

Ka vlerë të lartë ushqyese, përmban shumë minerale dhe vitamina tri deri në pesë herë më shumë vlera ushqyese sesa ato nga mielli i bardhë.

Më këtë nuk nënkuptohet përdorimi i tepërt i vetë bukës si ushqim. Mjafton përdorimi 200 – 300 gram gjatë një dite.

Duhet mjaft kujdes sa i përket ngjyrës. Ngjyra nuk është tregues i sigurt i cilësisë së bukës.

Buka ngjyrë të errët shpesh është e ngjyrosur me ngjyrues.

Pra, nëse keni zgjedhur bukë ajo duhet të jetë bukë integrale apo e zezë e theksuar e jo gjysmë e zezë.

Shumica e këtyre gjysmë të zeza janë të ngjyrosura nga bukëpjekësit.

Buka integrale sidomos ajo e bërë me brumë të ardhur nga maja natyrale është më cilësorja për shëndetin e fëmijëve dhe të rriturve.

Zgjidhja më e mirë është buka integrale, ajo e bërë me 100 përqind drithëra të plotë dhe e paprerë në feta.

Buka e zezë /integrale e bërë nga miell gruri të plotë ose thekre, si dhe perzjerjet e këtyre të dyjave janë bukët më superiore nga vlerat nutritive-ushqyese por edhe shëndetësore.