Bullizmi dhe pasojat negative te nxënësit
Siguria e të gjithë pjesëtarëve në ambientin shkollor dhe mungesa e sjelljeve agresive është një kusht thelbësor për promovimin e një shkolle efektive që rrit mirëqenien akademike, emocionale dhe sociale të nxënësve të saj.
Konventa e të Drejtave të Fëmijëve thekson rëndësinë e mbrojtjes së cilësisë së jetës së fëmijës dhe të drejtën e tyre për t’u edukuar në një mjedis të sigurtë, pa dhunë, ngacmime dhe neglizhim.
Një ambient shkollor mbështetës nxit qëndrime pozitive, sjellje prosociale dhe performancë të mirë akademike të nxënësve por njëkohësisht vë në theks rëndësinë e angazhimit të prindërve në shkolla dhe bashkëpunimin e tyre me mësimdhënësit dhe nxënësit.
Përveç kësaj kur nxënësit e perceptojnë mjedisin e tyre shkollor si mjaft mbështetës dhe po ashtu kur angazhimi i prindërve është në nivel të kënaqshëm, ata/ato kanë më pak gjasa të përfshihen në konflikte, ngacmime, abuzimin e substancave të ndryshme psiko-aktive situatave të dhunës dhe sjelljeve të tjera problematike (IAP,2015).
Një ambient shkollor i sigurt përfshinë jo vetëm sigurinë fizike, por edhe mirëqenien emocionale të stafit të shkollës dhe nxënësve.
Kjo varet nga niveli i bashkëpunimit që kanë mësimdhënësit me nxënësit dhe prindërit, komunikimi ndërmjet nxënësve në klasë, të qenit tolerant, respektimi dhe pranimi i diversitetit, liria e shprehjes, strategjitë e ndryshme për parandalimin e konflikteve.
Studimet kanë treguar se cilësia dhe sasia e marrëdhënieve që nxënësit krijojnë në mjedisin e shkollës mund të përcaktojë nëse fëmija ka të ngjarë të përfshihet në bullizëm si agresor apo si viktimë.
Kështu duket se agresorët zakonisht kanë shumë shokë, por priren të mos pëlqehen nga nxënësit e tjerë (Schëartz, 2001) dhe nxënësit që kanë një status të lartë midis shokëve dhe janë më të prirë të zotërojnë kompetenca sociale, kanë më pak të ngjarë të jenë pre e bullizmit apo e përjashtimit social, si dhe kanë fuqinë dhe aftësinë të përpiqen të ndikojnë te bashkëmoshatarët, si p.sh. t’i bindin ata të ngacmojnë e të sulmojnë nxënësit e tjerë.
Kur nxënësit pyeten mbi numrin e shokëve të ngushtë që kanë në klasë, kërkimet kanë pohuar se agresorët kanë më shumë shokë sesa grupi i viktimave, kurse kategoria agresor viktima është grupi që ka më pak shokë të ngushtë (Schëartz et.al., 2001).
Fenomeni i bullizmit në shkolla është një problem mbarë botëror në rritje që ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve, mediave, autoriteteve të shkollës dhe prindërve që janë të shqetësuar rreth mirëqenies dhe sigurisë së nxënësve (Moon, 2008).
Sipas (Green, 2000), paraqiti pesë tipare të ngacmimit me të cilat shumë hulumtues pajtohen:
- Ngacmuesi tenton të shkaktojë lëndime ose frikë tek viktima;
- Dhuna ndaj viktimës është sistematike;
- Viktima nuk reagon me dhunë verbale dhe fizike ndaj ngacmuesit për të nxit sjelljet ngacmuese ndaj tij/saj;
- Ngacmimi ndodh në grupe sociale;
- Ngacmuesi është më i fortë se personi që ngacmohet.
Personat e ngacmuar “karakterizohen me vetëbesim të ulët, kanë pak mbështetje emocionale nga të tjerët, janë më të izoluar, shënojnë arritje të dobëta akademike dhe si rezultat i këtyre, kanë më shumë gjasa të përjetojnë depresion dhe ankth”.
Viktimat e bullizmit mund të përballen me shumë pasoja në të ardhmen, si largimi nga shkolla, izolimi social, depresioni, agresiviteti fizik e verbal.
Për mënyrën e parandalimit të bullizmit është shumë e rëndësishme bashkpunimi mësimdhënës, nxënës, prindër, krijmi i një klime të përshtatshmë brenda institucionit shkollorë, shërbimet profesionale në shkolla: psikologu, pedagogu.
Aktivitete të ndryshme rekreative që kanë për qëllim ruajtjen e shëndetiit mendor, emocional, social e fizik.
Bashkëpumnimi i institucioneve relevante dhe organizatave të ndryshme jo qeveritare që ofrojnë shërbime të ndryshme si: ligjerata, seisone, punë individuale dhe grupore me nxënësit në mënyrë direkte dhe indirekte ndikojnë pozitivisht në vetëdijesimin, reduktimin dhe menaxhimin e sjelljeve agresive tek nxënësit duke rriet vetbesimin, vetvlerësimin, ndjenjën e përkatsisë identitetin etj.
Ma. Sc. Besnik Sherifi – Psikolog klinik Specializant i psikologjisë klinike

