Bumbullovci i Zhegocit – dalje galerie apo krua mali ku natyra ‘rrëfen’ historinë e një qytetërimi të lashtë

Sabedin Sherifi

Në Zhegoc të Ulët, në lagjen Hasani, gjendet një krua që në pamje të parë duket i zakonshëm, por që në të vërtetë është një hyrje-dalje e një bote nëntokësore mijëvjeçare.

I njohur si Bumbullovci, ky burim nuk është vetëm ujë që del nga toka — është dalje galerie e një miniere të lashtë, dëshmi e një qytetërimi që nuk nxirrte vetëm metal, por e përpunonte atë në vetë zemrën e bjeshkës.

Qindra metra më poshtë, në zonën e varreve, gjenden ende mbetje të metaleve të shkrira, prova të qarta se këtu nuk zhvillohej vetëm nxjerrja, por edhe shkrirja dhe përpunimi i metaleve.

Kjo pasuri nuk mbeti e izoluar në një pikë: pothuajse i gjithë shtrati i lumenjve që zbresin nga Zhegoci dhe Vërbica, deri në Sllovi të Lipjanit, është i mbushur me mbetje inerte të shkritoreve të asaj kohe. Vetë peizazhi mban gjurmët e industrisë së lashtë.

Bumbullovci nuk është i vetëm. Kjo hyrje ka një dalje tjetër në anën jugore të malit, në vendin e quajtur Çeshmja e Barutit, mbi Gadish.

Uji që del aty ka erë të rëndë squfuri, ose siç e quajnë banorët, erë baroti — një tjetër tregues i proceseve metalurgjike nëntokësore.

Flitet edhe për një dalje të tretë në Kishnapole, por vendndodhja e saktë sot nuk dihet, pasi është mbuluar nga dheu dhe bimësia.

Mbi këtë rrjet të pafund galerish nëntokësore ndodhet edhe kanali i ajrimit, në maje të malit, në vendin e quajtur Llopar, i njohur nga banorët si Cehat apo Bunarët pa fund.

Thellësia e tyre mbetet e panjohur, por sipas të gjitha gjasave, ata shtrihen në të njëjtin nivel ose edhe më thellë se Bumbullovci dhe Çeshmja e Barutit.

Këtu mali merr frymë, dhe ajri që del nga burimi është ajër i këtyre galerive të lashta.

Rreth viteve të tetëdhjeta, nga Instituti i Mineraleve janë kryer shpime hulumtuese në këtë zonë.

Për gjetjet e tyre nuk është bërë publike asgjë, gjë që vetëm sa e shton bindjen e banorëve se në thellësinë e këtij mali fshihet një thesar i pamatshëm — jo vetëm material, por historik.

Në antikitet, qyteti Zygo ishte i njohur për përpunimin e metaleve dhe prodhimin e monedhave.

Përveç industrisë, ai kishte edhe një infrastrukturë të zhvilluar mbrojtëse, të shtrirë në majat e maleve.

Edhe sot gjenden mbetje themeleve të kështjellave, të njohura si Kala.

Nga këto pika, mbi 1200 metra mbi nivelin e detit, shtrihej një horizont i gjerë që përfshinte Artanën dhe kështjella të tjera si ato të Vërbicës, Poneshit, Pogragjës e shumë të tjera në malet e Karadakut.

Sot, kjo zonë përfaqëson një hapësirë jashtëzakonisht atraktive për vizitorë, studiues, alpinistë dhe dashamirë të historisë.

Ajo që mungon nuk është pasuria — ajo është aty — por investimi në infrastrukturë dhe vëmendja institucionale.

Bumbullovci, me ujin dhe ajrin që del nga thellësia e historisë, mbetet një thirrje e hapur për ta njohur, ruajtur dhe ringjallur këtë trashëgimi unike.