Burrë e grua rrahen mes vete, pas denoncimit në polici kthehen sërish bashkë

Thuajse çdo ditë në polici raportohen raste të dhunës në familje, ku shpeshherë në konflikt janë të përfshirë bashkëshortët. Një rast i tillë ka ndodhur të dielën në një familje në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë, një burrë e një grua përfunduan në Polici pasi u rrahën me njëri – tjetrin si pasojë e problemeve të vazhdueshme që kanë mes vete dhe nuk po arrijnë t’i zgjidhin.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti dyshohet të ketë ndodhur në orët e pasdites dhe nisi pas një zënke, e cila pasoi me dhunë fizike, ashtu që të dy pësuan lëndime trupore.

Dy palët u shoqëruan në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me incidentin që ndodhi në shtëpinë e tyre.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën penale “Dhunë në familje”. (foto ilustrim).