Burri ikën, policia arreston gruan, kultivues të narkotikëve

Policia ka goditur një tjetër rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike dhe ka arrestuar në flagrance një grua si dhe ka shpallur në kërkim bashkëshortin e saj.

Në pranga ka përfunduar shtetasja Sh. B., 53 vjeçe dhe po punohet për arrestimin e bashkëshortit të saj 54-vjeçar L. B., banues në fshatin Halil, Fushë Krujë.

Policia ka arritur të kapë në flagrancë 53- vjeçaren teksa kujdesej për bimët narkotike që burrë e grua kishin mbjellë në një hapësirë pyjore pranë tokave të tyre bujqësore.

Ndërkohë, bashkëshorti është larguar në drejtim të paditur menjëherë sapo mësoi se Policia kishte zbarkuar në parcelën me kanabis. Burime nga Policia thanë për gazetën se çifti kishte mbjellë rreth 100 fidanë bimë të llojit canabis sativa.

Fidanët kishin rreth tre-katër muaj që ishin kultivuar dhe për disa ditë ishin gati për pjekje. Lënda narkotike është asgjësuar nga Policia.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Durrës, si rezultat i kontrollit të vazhdueshëm të territorit kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Zgërdhesh, Fushë-Krujë. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasen Sh. B., 53 vjeçe dhe shpallën në kërkim bashkëshortin e saj, shtetasin L. B., 54 vjeç, banues në fshatin Halil, Fushë-Krujë, pasi dyshohen si autorë të kultivimit të fidanëve narkotikë cannabis sativa që janë gjetur gjatë kontrollit në një sipërfaqe toke në fshatin Zgërdhesh, Fushë Krujë”, deklaroi policia nëpërmjet një njoftimi.