Burri kërcënon se do ia heq kokën ish-gruas së tij, dërgohet në mbajtje
Ka shumë raste kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga problemet edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe. Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Lipjan, ku një burrë dyshohet se ka kërcënuar me jetë ish bashkëshorten e tij me të cilën është në proces të shkurorëzimit.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur kur 23-vjeçarja kishte shkuar të marrë fëmijën sipas aktvendimit të Gjykatës dhe që më pas i dyshuari me gjeste e kishte kërcënuar se do ia heq kokën.
Përballë kësaj situate, viktima e cila është e pajisur edhe me urdhërmbrojtës, ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer në detaje gjithë ngjarjen se si ka ndodhur.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku para hetuesve ka mohuar të ketë kërcënuar ish bashkëshorten e tij.
Me urdhër të prokurorit, 30-vjeçari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.


 
 
						 
						