Bylbyli i tregoi ‘Babës’ kush është ‘Profa’ i futbollit në Kosovë
Gjilani i ka dhënë një mësim të mirë Ballkanit të Suharekës, duke i treguar ‘Babës’ se kush është ‘Profa’ i futbollit në Kosovë.
Skuadra e Bylbyl Sokolit arriti ta mposhtë me rezultat të thellë 4:0 skuadrën e Ismet Munishit, në ndeshjen e mbetur të javës së 12-të në Superligën e Kosovës.
Mesfushori nga Shqipëria, Ardit Hila realizoi tre gola, në minutat 13′, 44′ dhe 81′, derisa golin tjetër e shënoi Darko Nikac (56′).
Sokoli e ka rikthyer besimin te Gjilani, i cili po rikthehet fuqishëm te gara për dy vendet e para në kreun e tabelës, pasi ka eliminuar pretendentin kryesor.
Me këtë humbje, Ballkani mbetet në vendin e dytë me 38 pikë të tubuara, kurse Gjilani në vendin e katërt, me 29 pikë.
Me këtë fitore, Gjilani në mënyrë të tërthortë e ka ndihmuar edhe rivalin lokal, Dritën, kryesuesin aktual, që po ndiqet nga Ballkani hap pas hapi. /Mediafokus.info/

