Çika e hoxhë Musliut: Në Ministrinë e Mbrojtjes u pranua një psikologe pa licencë, unë u refuzova
Pas rrëfimit të parë publik për mënyrën se si iu “fsheh” dokumentacioni gjatë aplikimit për punë në Ministrinë e Mbrojtjes, Sabina Musliu, vajza e hoxhës së njohur Osman Musliu, ka zbuluar për “Kosova Live” edhe detaje të tjera shqetësuese për parregullsi dhe shkelje ligjore në procesin e punësimit.
Musliu tha se pozita për të cilën kishte aplikuar iu dha një kandidateje pa licencë të vlefshme për ushtrimin e profesionit të psikologes, gjë që sipas saj përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit në fuqi.
“Kandidatja që e ka fituar pozitën ishte psikologe e pa licencuar, nuk kishte licencë të vlefshme. M’u duk shumë çuditshëm, ishte guxim i madh me e pranuar në punë një person pa licencë të vlefshme, sepse ligji në Kosovë është i qartë nëse don me ushtru profesionin tënd, duhesh me pas licencë. Pra, disa persona në Ministrinë e Mbrojtjes e morën guximin dhe e pranuan në punë një person të tillë,” deklaroi ajo në intervistë.
Sipas Musliut, rasti i saj nuk është vetëm çështje punësimi, por simbol i një problemi më të thellë institucional mungesës së drejtësisë dhe abuzimit me procedurat ligjore.
“Çështja ime, siç ka folur edhe babi, nuk është vetëm që s’jam pranuar në punë. Është diçka më e madhe. Përveç shtypjes dhe padrejtësive në Ministrinë e Mbrojtjes, unë hasa në shtypje edhe nga Prokuroria, me përgjigjen që mora pas një viti. Prokurori i Shtetit i ka parë që gjërat janë shumë të qarta” – theksoi ajo.
Sabina Musliu kërkoi që institucionet të reagojnë ndaj këtyre shkeljeve, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi për zyrtarët që kanë lejuar punësimin e personave pa licencë në sektorë të ndjeshëm si ai i Mbrojtjes.

