Cili fshat i Gjilanit kishte dikur tre lumenj e trembëdhjetë mullinj
Izeir Hyda
(Toponimet e vendlindjes sime, Pogragjë)
Pagragja, në të kaluarën e afërt kishte trembëdhjetë mullinj që siguronin bukën në tryezat tona. Kjo industri e tërë ishte vet jeta e banorëve të këtyre anëve.
Rrallë gjendet ndonjë fshat në trojet shqiptare, në trevat e të cilit rrjedhin tre lumenj si në fshatin Pogragjë.
Lumi i Moravës, që buron në malet e Binçës dhe derdhet në lumin Danub dhe dy lumenj të tjerë, lumi Llapushnicës dhe lumi i Sllubicës, që burojnë në malet e Karadakut dhe derdhën në lumin Morava; njëri mbi fshatin Pogragjë rrëzë Kalasë së fshatit dhe tjetri, që kalon përmes fshatit dhe derdhet në vendin e quajtur ‘Reka-Morava’.
Këta tre lumenj, që nuk shterruan asnjëherë, bënë që në rrjedhat e tyre të ndërtohen një numër i madh i mullinjve që ishte një industri e tërë për bluarjen e drithërave, e që furnizonte me miell jo vetëm banorët e Pogragjës, por edhe të fshatrave përreth e më gjerë.
Mulli – Makinë e thjeshtë për bluarjen e drithit, që përbëhet nga pajisje të ndryshme, si dhe nga dy gurë të mëdhenj, të sheshtë e të rrumbullakët, të vënë njëri mbi tjetrin, nga të cilët i sipërmi lëviz, me anë të fuqisë së ujit, të erës a me motor; ndërtesë me një makineri të tillë ku bluhet drithi. (FGjSSh, Rilindja 1981, fq. 1180)
Pra, kishte disa lloje të mullinjve, gurët e të cilëve janë vënë në lëvizje me forcë, me ujë, me erë apo me motor.
Njeriu qysh në kohërat e lashta, kur ushqehej me gjërat që i gjente të gatshme në natyrë, e vërejti se organizmi i tij nuk kishte aftësi për tretjen e kokrrave të pa gatuara.
Kështu, i lindi ideja që kokrrat e drithërave të ziheshin apo të bluheshin duke i shtypur.
Për bluarje, në fillim përdorej një llaq-guri ku vendoseshin kokrrat e drithërave dhe me një guri tjetër që e lëviznin me forcë nga lartë-poshtë, godisnin kokrrat duke i thërrmuar e imtësuar ato në formë mielli.
Më vonë mbi gurin e poshtëm e vendosën një gur tjetër, në formë rrote, që e rrotullonin me forcë duke e lëvizur para-prapa, një veprim që ishte pak më i lehtë se i pari.
Megjithatë, kjo ishte një punë shumë e rëndë dhe kërkonte forcë të madhe që gurët të rrotulloheshin me fuqi të muskujve. Njerëzit që e kryenin këtë punë çmoheshin shumë. Egjiptasit e vjetër këtyre njerëzve u ndërtonin skulptura.
Përparësi të madhe ka kalimi nga shtypja e kokrrave me gurë, nga lartë-poshtë, në shtypjen e kokrrave me veprimin e rrotullimit, kur dy gurë vendoseshin njëri mbi tjetrin dhe guri i sipërm vihej në lëvizje me forcë, me ujë, me erë, apo me motor.
Kështu u krijuan mullinjtë e parë
Pogragja kishte një numër të madh të mullinjve, gurët e të cilëve i vente në lëvizje fuqia e ujit, por ne arritëm t’i identifikojmë këta mullinj: (radhitjen po e bëjmë sipas rrjedhës së lumit Morava, nga perëndimi në lindje)
Trembëdhjetë mullinjtë e Pogragjës:
Mulliri i Mustafë Kacabashit
Mulliri i Daut Shabanit
Mulliri i Bajram Çaushit
Mulliri i Qamil Rashitit
Mulliri i Vjetër i Cenajve
Mulliri i Dytë i Cenajve
Mulliri i Haxhisë
Mulliri i Kadriovitëve
Mulliri i Kamerit
Mulliri i Salihit (Xhepës Rashiti)
Mulliri i Bejtës
Mulliri i Rexhepit dhe
Mulliri (elekktrik) i Hajrovitëve
Mulliri i Mustafë Kacabashit
Ky mulli ka qenë në bregun e majtë ( në anën veriore) të lumit Morava është furnizuar me ujë nga lumi i Moravës. I takon llojit të mullinjve me çatallë.
Ka qenë pronë e Mustafë Kacabashit nga Muhaxherët e Pogragjës që ne i njohim si Kacabash.
Këto familje ishin shpërngul me dhunë, më 1878 nga Serbia, së bashku me qindra familje të tjera, nga një qytezë e vogël në Serbi (Kasaba – qytezë e vogël) dhe janë vendos një herë në Pogragjë, e pastaj ku janë sot. Emrin e kanë marrë nga fjala Kasaba-Kacabash.
Mulliri i Daut Shabanit
Mulliri i Daut Shabanit nga Pogragja ka qenë në anën e djathtë të lumit të Llapushnicës, aty ku kufizohet kodra e Pyllës me Kodrën e Shullanit.
Ka pas një lug mulliri dhe një gur.
Ku mulli me jaz, është furnizuar me ujë nga lumi i Llapushnicës dhe ka funksionuar deri në çerekun e fundit të shekullit të kaluar.
Mulliri i Bajram Çaushit
Mulliri i Bajram Çaushit nga Pogragja ishte në anën e djathtë të lumit Morave, përafërsisht 200m nën grykëderdhjen e lumit të Llapushnicës. Ky mulli me Jaz furnizohej me ujë, nga i njëjti jaz që furnizonte edhe mullirin e Daut Shabanit.
Këtu ishte përparësia e shfrytëzimit të energjisë së ri-përtëritshme.
Mulliri i Qamil Januz Rashitit
Mulliri i Qamil Rashitit gjendej karshi mullirit të Bajram Çaushit, por në anën e majtë të lumit Morava. Ky mulli me jaz kishte dy gurë dhe furnizohej me ujë nga lumi Morava. Jazi me ujë të bollshëm fillonte nga Guveni dhe deri te mulliri kishte një gjatësi rreth dyqind metra.
Karakteristikë e këtij mulliri ishte se në pronësi kishte një arë dhe një kopsht me pemë.
Mulliri i vjetër i Cenajve
Ishte një mulli me jaz. Jazi që e furnizonte këtë mulli, fillonte rrëzë Gurit të Shybes (Shqipes) duke vazhduar rrjedhën e tij, anës se djathtë të Moravës, deri te mulliri që gjendej te livadhet që shtriheshin në anën e djathtë të lumit, karshi varrezave të Cenajve.
Jazi kishte ujë të bollshëm dhe thuhet se ka qenë mulli me dy gurë.
Mulliri i Dytë i Cenajve
Nuk e dimë, por ka pas, sigurisht, ndonjë arsye, që Mulliri i vjetër i Cenajve të zhvendoset nga vendi i tij i mëparshëm dhe të vendoset më afër fshatit.
Në vazhdim të jazit të vjetër u hap jazi i rinj që e solli ujin deri te mulliri.
Ky mulli e mori emrin e lagjes së Cenajve. Furnizohej me ujë të bollshëm nga Morava. Kishte tre gurë mulliri të cilët punonin vazhdimisht.
Në këtë mulli bluanin jo vetëm pogragjasit por edhe fshatarët e fshatrave përreth, për shkak të kapacitetit të madh që kishte. Ishte mulli me bashkëpronësi të tre pronarëve: Shaban Cenës, Molla Imerit dhe Xhepës Metës.
Mulliri i Haxhisë
Haxhi Salihu nga Pogragja, personalitet i njohur, që ra heroikisht për mbrojtjen e atdheut, në luftën e Kikës më 1912, përveç urës mbi lumin
Morava punoi edhe një çezme dhe në afërsi të tyre kishte ndërtuar edhe një mulli.
Mulliri i Haxhisë ishte një ndër mullinjtë më të vjetër.
Gjendej në anën e majtë të lumit Morava. Ishte mulli me çatallë që kishte një guri.
Mulliri i Kadriovitëve
Pesëqind metra më larg Mullirit të Haxhisë, pranë shtëpive të Kadriovitëve, ishte një mulli tjetër, po ashtu me çatallë.
Ky mulli ishte në anën e djathtë të lumit Morava, shtrati i të cilit, në të kaluarën bënte një rreth dhe kalonte shumë pranë shtëpive. Ky mulli kishte një guri dhe punonte vazhdimisht për shkak të ujit të bollshëm të Moravës.
Mulliri i Kamerit
I vetmi mulli në fshatin Pogragjë që i ka qëndruar kohës dhe që ishte funksional deri tash është Mulliri i Kamerit. Ky mulli gjendet skaj fshatit, në anën e majtë të lumit të Sllubicës, ujin e merr nga ky lum, me jaz që ka një gjatësi, përafërsisht 600m.
Mulliri ka dy lugje me ujë të bollshëm dhe kapacitet prej dy gurësh. Është skaj rrugës Pogragjë-Sllubicë, ka qasje të lehtë..
Mulliri i Kamerit, për momentin është në renovim.
Renovimin është duke e bërë bashkëvendësi ynë Ramadan Fetahu.
Shpresojmë që renovimi të kryhet brenda këtij viti dhe mulliri të vazhdoj të bluaj, e madje edhe të bëhet një vend atraktiv për tu vizituar dhe për të parë, praktikisht, si kanë funksionuar mullinjtë me ujë në të kaluarën.
Mulliri i Salihit (Mulliri i Xhepës Rashitit)
Pesëqind metra më larg se Mulliti i Kamerit, në anën e djathtë të lumit të Sllubicës gjendej Mulliri i Salihit, i njohur ndryshe edhe si Mulliri i Xhepes (te dy këta pronarë i përkisnin të njëjtës familje.
Mixha Xhepë (Xhepa i Rashitit) nga Pogragje, njihej si punëtor shumë i madh. Ai, përveç shumë veprave të mira për fshatin, kishte ndërtuar mullirin dhe ‘tantën’ (pendën) në lumin e Sllubicës, pesëqind metra larg mullirit, e njohur si tanta e Mixhës Xhepë.
Kjo pendë e punuar me gurë dhe me material lidhës, e gjerë përafërsisht 20m dhe e lartë rreth 5m mbushej me ujë nga lumi duke krijuar një rezervuar të madh uji. Penda i qëndroi kohës deri në çerekun e fundit të shekullit të kaluar.
Jazi që sillte ujin për këtë mulli fillonte pikërisht nga kjo pendë dhe kalonte nëpër një teren shkëmbor.
Mulliri kishte dy gurë dhe punoi për një kohë të gjatë.
Mulliri i Bejtës
Për dallim nga mullinjtë tjerë të Pogragjës që furnizoheshin me ujë nga lumi Morava ose nga dy lumenj, lumi i Slubicës dhe lumi i Llapushnicës; Mulliri i Bejtës, furnizohej me ujë nga një përrua – nga Përroi i Kryqes.
Gjendej në anën e djathtë të këtij përroi dhe funksiononte mjaftë mirë. Në këtë mulli, bluanin jo vetëm pogragjasit por edhe fshatrat Bilinicë, Dobrosin e Stublinë. Ky ishte një mulli me jaz rrjedha e të cilit kishte një gjatësi rreth gjashtëqind metra.
Mulliri i Rexhepit
Mulliri i Rexhepit (i njohur si Baba Rexhep), ishte një ndër mullinjtë më të vjetër të Pogragjës. Ishte mulli me jaz që furnizohej me ujë nga lumi Morava
Ky mulli gjendej në Tamac, në anën e djathtë të lumit Morava, afër Përroit të Borotinit, përball Gurit të Gjarpnojve.
Kishte kapacitet mjaftë të madh. Në këtë mulli bluanin jo vetëm pogragjasit dhe fshatrat përreth, por edhe fshatarët nga fshatrat më të largëta.
Mulliri i Hajrovtëve
Ky ishte një mulli elektrik (me motor) që u ndërtua pas elektrifikimit të fshatit.
Gjendej prapa ish Kooperativës Bujqësore të fshatit dhe funksionoi rreth tri dekada. Kur jemi te mullinjtë elektrik po e përmendim edhe një mulli tjetër elektrik që ka funksionuar në fshatin Bilinicë për një kohë të caktuar. Bilinicasit thoshin ‘U kthy uji përpjetë’
Këta ishin 13 mullinjtë e Pogragjës, që bluan për sofrat tona gjatë një periudhe kohore rreth tre shekujsh. Nga këta trembëdhjetë mullinj, tre ishin me çatallë e nëntë me jaz. Ndër ta, shtatë furnizoheshin nga lumi Morava, dy nga lumi i Sllubicës, dy nga lumi i Llapushnicës, një nga Përroi i Kryqes dhe një mulli elektrik.
Kur jemi duke folur për mullinjtë me ujë të Pogragjës që furnizoheshin nga lumi i Sllubicës dha ai i Llapushnicës, mendoj se vlen t’i përmendim edhe disa mullinj, që janë furnizuar me ujë nga këta lumenj apo nga degët e tyre,8 e që njihen si Mullinjtë e Karadakut.
Mulliri i Asllanit (në lumin e Sllubicës)
Përveç dy mullinjve të pogragjasve në këtë lum është i njohur edhe Mulliri i Asllanit i njohur ndryshe me emrin Mullini i Shabanit nga Sllubica.
Ky mulli me jaz gjendej karshi Muhaxherve të Pogragjës, pran lumit të Sllubicës, ku bluanin, kryesisht, Sllubica, Bilinica, Muhaxherët, Inatovci, Kukajt, Zahirët etj.
Vazhdojmë me mullinjtë në Lumin e Llapushnicës:
Mulliri i Llovcës
Ky mulli gjendej në anën e majtë të lumit të Llapushnicës. Ishte mulli me jaz që furnizohej me ujë, nga po ky lum.
Në këtë mulli bluanin, kryesisht banorët fshatrave Llovcë dhe Burincë.
Mulliri i Lipovicës
Edhe ky mulli gjendej në anën e majtë të lumit të Llapushnicës. Po ashtu ishte mulli me jaz, në të cilin bluanin, kryesisht fshatarët e Lipovicës.
Mullinjtë e Karadakut në lumin e Llapushnicës
Kur po flasim për Mullinjtë e Llapushnicës, është e rëndësishme t’i përmendim edhe disa mullinj të tjerë që janë furnizuar me ujë nga ky lum apo nga degët e tij.
Për këta mullinj, do të bazohemi në një shkrim shumë të mirë për ‘Mullinjtë e vjetër të Preshevës’ të autorit Xhemaledin Salihu, botuar më, 29. 09. 2010.
“Mullinjtë e vjetër të Karadakut ishin ndërtuar në lumin e Stanecit dhe në lumin e Llapushnicës.
Përrockat e Kurbalisë, e Gruhalisë, Nezajve dhe e Lezbalisë formojnë lumin e Stanecit. Lumi i Stanecit dhe lumi i Seferëve te urat, afër Shkollës Fillore të Caravajkës bashkohen dhe formojnë lumin e Llapushnicës, i cili derdhet në Moravën e Binçës mbi Pogragjë.
Mullinjtë në lumin e Stanecit:
Mulliri i Baçes së Stanecit
Mulliri i Buhiqit
Mulliri i Idriz Seferit me dy gurë, me han-bujtinë
Mulliri i Xhelal Seferit
Mullinjtë në lumin e Seferit:
Mulliri i Rifatit t’Seferit
Mulliri i Kamer Seferit
Mulliri i Ali Fejzës me han-bujtinë
Mulliri i Kureçëve
Mullinjtë në Llapushnicë
Mulliri i Gjinajve të Depcës
Mulliri i Xhanëve të Maxherës
Mulliri i Dalip Kokës me dy gurë
Mulliri i Kokajve
Mulliri i Muçibabës”…
… për të vazhduar me mullinjtë e Pogragjës për të cilët folëm më lartë….
Mullinjtë e Pogragjës ishin pronë e një njeriu e familjes, apo e mëhallës, por nuk ishin pronë e tërë fshatit, siç është karakteristikë te fshatrat me më pak banorë.
Mullinjtë trashëgoheshin gjeneratë pas gjenerate.
Kur mullinjtë ishin pronë e përbashkët, hisedarët punonin sipas një rendi ndërsa në mullinjtë me pronësi individuale punonte vet pronari, apo e pajtonte dikë me pagesë.
Mullinjtë e Pogragjës ndërtoheshin, zakonisht, pran rrjedhës së lumenjve dhe kishin qasje të mirë në rrugë. Ndërtesa e mullirit bëhej me gurë. Brenda kishin një hapësirë ku vendoseshin gurët e mullirit dhe pajisjet tjera përcjellëse.
Zakonisht mulliri kishte edhe një dhomë të vogël të ndarë, që shërbente për mullisin ku e përgatiste ushqimin dhe e kalonte natën. Uji që e sillte jazi binte me shpejtësi të madhe, përmes një lugu të pjerrtë, mbi një rrotë me fletëza dhe e vente në lëvizje atë.
Rrota me fletëza ishte në pozitë horizontale që lidhej me një bosht vertikal i cili lidhej me gurin e sipërm të mullirit dhe rrotullohej bashkë me te. Do me thënë kishte dy gurë që vendoseshin njëri mbi tjetrin, ku i poshtmi ishte statik kurse i sipërmi rrotullohej. Këto janë dy pjesët fillestare të motorit të sotëm: statori e rotori.
Mbi gurët e mullirit vendosej koshi në formë hinke (rezervuari për drithëra) që mbyllej në fund me një copë dërrasë të shkallëzuar e cila lidhej me çakallen e mullirit.
Çakalla i lëshonte kokrrat sipas një ritmi të caktuar. Kokrrat binin në vrimën e gurit të mullirit, shpërndaheshin në hapësirën e vogël, ndërmjet dy gurëve, bluheshin, bëheshin miell. Milli binte në një arkë – një pajisje në formë rezervuari për miellin.
Ishte ky një proces, në dukje i thjeshtë, por që kërkonte njohuri dhe përgjegjësi.
Edhe për mullinjtë me çatallë, procesi i punës ishte i njëjtë. Dallohej vetëm mekanizmi i tyre. Këta mullinj kishin një rrotë, me fletëza – një çatallë, me diametër shumë më të madhe se rrota horizontale e mullinjve me jaz. Kjo rrotë vendosej vertikalisht në ujë të cilën e vente në lëvizje fuqia e ujit.
Rrotë e madhe ishte e lidhur me një bosht horizontal i cili lidhej me një rrotë tjetër me dhëmbëzore konik në formë ingranazhi, që e shndërronte lëvizjen e rrotës vertikale në lëvizje horizontale, e cila me transmetues e rrotullonte gurin e mullirit.
Puna në mullinj ishte e vështirë. Kërkonte angazhim të përhershëm, prej furnizimit me ujë, që ishte jeta e mullinjve, mirëmbajtjes së jazit, cokatjes së gurëve, mirëmbajtjes së pajisjeve përcjellëse, mbajtjes së rendit për bluarje, përgjegjësi për marrjen e ujemit që matej me kutlla, deri të pritja e përcjellja e klientëve, sidomos të atyre që vinin nga larg e duhej të buanin në mulli.
Edhe pse kishte shumë vështirësi, puna në mulli çmohej. Ishte humane e krenare. Mullinjtë ishin baza e jetës, sepse siguronin bukën në tryezat tona.
Mullisit pogragjas dhe pronarët e tyre, tregoheshin human. Gati çdo herë, familjeve në nevojë e jetimëve u bluanin pa ujem. Ata, dhomat e tyre të vogla, shpesh i shndërronin në bujtina për udhëtarë e nevojtarë të ndryshëm.
Hapësirat e mullinjve në kohë luftërash e krizash, shndërroheshin në strehimore për luftëtarët e lirisë.
Mullinjtë të ruhen nga harresa!
Me keqardhje mund të konstatojmë se mullinjtë me ujë në Pogragjë, tanimë janë gërmadha dhe sikundër në të gjitha trojet shqiptare, po shkojnë drejt zhdukjes edhe për kundër faktit se kjo ishte një industri që funksionoi me shekuj.
Megjithatë në Pogragjë po bëhet përpjekje nga bashkëvendësi ynë Ramadan Fetahu, që të ruhet tradita me Mullirin e Kamerit të cilin është duke e rinovuar.
Në Pogragjë tradita e bluarjes së drithërave dhe e mullinjve me ujë ka vazhduar gjatë. Ata furnizonin me miell pogragjasit dhe fshatrat përreth. Edhe pse, pothuajse, shumica e mullinjve tanimë janë gërmadha, ne me këtë shkrim po përpiqemi ta ruajmë kujtesën, jo vetëm për këtë industri, por edhe për pronarët e pa lodhshëm e human, të mullinjve të Pogragjës.
Kuptim fjalësh
Mulli – pajisje për bluarjen e drithit
Mullisi – millonai, zoti i mullirit apo ai që punonte në mulli.
Guri i mullirit – mokra, pajisje primitive, mekanike e përbërë nga dy blloqe gurësh të sheshtë të rrumbullakët ku i sipërmi rrotullohet…
Çakalla – dërrasë mbi gurin e mullirit, që ritmikisht rregullon rënien e kokrrave të drithit nga koshi në mokër.
Koshi i mullirit – arkë në formë hinke, rezervuar që mbushet me kokrra drithi.
Kutëll – enë prej druri me dorëz masë për ujem.
Ujem – masë mielli ose drithi, që i jepej mullisit, si pagesë për blojën, apo pagesë për një punë në bujqësi.
Jaz – vijë uji, vada e mullirit që e sjell ujin deri te lugu i mullirit.
Lug mulliri – një lug prej druri, lëfyt, gyp, qynkë që vendoset pjerrtas, nëpër të cilin rrjedh uji me shpejtësi dhe e vë në lëvizje gurin e mullirit.
Çatallë – rrotë e madhe me fletëza që vihet në lëvizje nga fuqia e ujit.
Mekanizmi i mullirit – çatalla, boshti ingranazhet, mokra…etj.

