Cili Kajmekam i Gjilanit mburrej me origjinën e tij shqiptare?

Shqiptarët, pavarësisht pozitave që kanë mbajtur në perandorinë osmane, janë munduar të ndihmojnë lëvizjen kombëtare. Sipas historianit Aliriza Selmani, i tillë ishte kajmekami i Gjilanit, Xhelal Beu.

Këtë e dëshmojnë dokumentarë të ndryshëm, shtypi i kohës dhe pjesëmarrës të ngjarjeve.

Xhelal Beu ishte një shqiptar nga fshati Tërrnoc i Bujanocit, bir i një oficeri osman, i cili ka shërbyer si kajmekam në kazanë e Gjilanit, gjatëviteve 1910-1911, kohë kjo e kryengritjes masive shqiptare të Kosovës.

Siç dihet, atë vit, shqiptarët e rrethit të Gjilanit, të prirë nga Idriz Seferi e të tjerë, morën pjesë aktive në luftërat e ashpra kundër ushtrisë osmane, të udhëhequr nga gjenerali Shefqet Turgut Pasha, në Grykën e Kaçanikut, Moravën e Epërme, Karadak dhe në vise të tjera të Vilajetit të Kosovës.

Në masivizimin e kryengritjes dhe luftës në Grykën e Kaçanikut, kishte dhënë kontributin e vet në mënyrë të fshehtë edhe Xhelal Beu.

Një mësues serb nga Gjilani, Zhivko Popoviq, në një raport të tij për qeverinë serbe, nënvizonte se agallarët dhe bejlerët ishin bërë me kryengritësit, bile edhe vet kajmekami, i cili mburrej me luftën e shqiptarëve.

Raportuesi shton më tej se “nuk është çudi që kajmekami të fliste mirë e me mburrje për shqiptarët, sepse ai vet është shqiptar”.

Xhelal Beu kishte lidhje të drejtpërdrejtë edhe me udhëheqësit kryesor të Lëvizjes Kombëtare të Rrethit të Gjilanit, Idriz Seferin dhe të tjerët, por ky bashkëpunim ka qenë shumë sekret.

Pas rikthimit të Grykës së Kaçanikut nga Shefqet Turgut Pasha dhe derisa po vazhdonin luftimet e ashpra midis kryengritësve shqiptarë dhe ushtrisë osmane në Moravën e Epërme dhe në Karadak, Xhelal Beu, i vetëdijshëm për vendosmërinë e pushtetit qendror osman në shuarjen e kryengritjes dhe për masakrat  që do të pasonin, bëri disa përpjekje për ndërprerjen e operacioneve të mëtejme ushtarake dhe për arritjen e një marrëveshjeje.

Për këtë qëllim kishte dërguar disa përfaqësues në Ferizaj për të biseduar me kryekomandantin Shefqet Turgut Pasha, mirëpo kjo nuk u arrit.

Nga mesi i majit 1910 në kazanë e Gjilanit ishte shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe kishin pasur masa ndëshkimore kundër kryengritësve dhe familjeve të tyre.

Edhe në këto rrethana Xhelal Beu kishte dhënë kontributin e tij të pamohueshëm me qëllim që t`i shpëtonte ata nga ndjekjet dhe gjyqet ushtarake.

Pjesëmarrësve të kryengritjes u shpërndante vërtetime zyrtare, si dëshmi se ata nuk kishin marrë pjesë në kryengritje, gjë që u mundësonte të ktheheshin të lirë në familjet e veta.

Lidhur me këtë konsulli M. Rakiq, në raportin e tij të  12 majit 1910 njoftonte ministrin e jashtëm M. Milovanoviq se “kryengritësit e anës së Gjilanit kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre dhe për këtë kishte ndihmuar shumë kajmekami, i cili vetë iu ndante kryengritësve vërtetime zyrtare, si dëshmi se nuk kanë marrë pjesë në luftëra”.

Xhelal Beu, edhe më parë, si oficer osman dhe pas emërimit si kajmekam, kishte treguar interes për hapjen e shkollave në Gjilan e rrethinë dhe për këtë qëllimi kishte formuar një komision që do të shqyrtonte mundësinë e hapjes së një shkolle shqipe në Përlepnicë, fshat afër Gjilanit.

Mirëpo, kjo iniciativë kishte hasur në kundërshtimin e disa feudalëve vendës. Siç  duket, meritë e Xhelal Beut ishte po ashtu që në Gjilan e rrethinë, në vitin 1909-1910 funksiononin disa shkolla shqipe.

Edhe në aspektin ekonomik, Xhelal Beu kishte dhënë kontributin e tij si kajmekam. Rëndësi të madhe kishte fituar rruga Gilan-Ferizaj, e meremetuar më 1895, me iniciativën e Xhelal Beut.

Më 1912 Xhelal Beun e hasim kajmekam në kazanë e Kumanovës. Edhe gjatë kësaj kohe Xhelal Beu i kontribuoi aktivitetit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe i vazhdoi kontaktet e fshehta me Idriz Seferin, Isa Boletinin dhe prijës të tjerë, për çka flasin edhe raportet austriake të kohës.

“Mendojmë se aktiviteti patriotik i Xhelal Beut bëri që shumë oficerë, ushtarë dhe xhandarë osmanë, të dezertonin për t’iu bashkuar kryengritësve në kazanë e Gjilanit dhe në vise të tjera. Pa dyshim se kajmekami i Gjilanit, i kishte dhënë një kontribut të çmuar Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të kësaj ane, prandaj personalitetet si ai, meritojnë një vështrim të posaçëm”, thotë Selmani. /Mediafokus/