Çka duhet të dini rreth tregut të punës në fushën e infermierisë në Gjermani
Sabedin Sherifi
Është e vërtetë se kërkesa e tregut gjerman për punëtorë të kualifikuar është shumë e madhe në shumë fusha e sidomos në fushën e mjekësisë/ infermierisë.
Shumica e të punësuarve jnë punëtorë nga vendet e varfra, pothuaj nga e gjithë bota.
Ata janë të përqendruar kryesisht në geriatri pasi që aty mungon shumë personeli i kualifikuar, por ka të punësuar shumë edhe nëpër klinika dhe spitale të ndryshme.
Tash me heqjen e vizave për Kosovën është mundësi e madhe për të gjetur punë për profesionistë në lëmin mjekësor.
Nga përvoja që kam, ju rekomandoj që mos të bëni pazare me njerëz që ju ofrojnë punë nga Kosova, si ndërmjetës pasi që ato ju kushtojnë shumë sepse janë kontrata me provizione.
Unë ju rekomandoj që fillimisht të mësoni germanishten, së paku në nivel B2 sepse gjuha është çelësi i çdo dere.
Pas marrjes së certifikatës së gjermanishtes në qendrat e pranuara ndërkombëtarisht, si Goethe apo qendra tjera relevante, duhet të aplikoni për njohjen e shkollimit tuaj në Gjermani.
Kjo njohje bëhet nëpër Lande apo Republika të ndryshme, në mënyrë që ju të keni një certifikatë apo Urkunde siç quhet në Gjermani.
Nëse ju keni mësuar gjermanishten, nuk është problem për të gjetur një punë.
Thjesht, ju u⁷ shkruani firmave dhe ata ju caktojnë një termin për intervistë dhe me kaq përfundon.
Por mos harroni se nëse ke një njohje gjermane (Urkunde) ju do paguheni shumë më mirë se sa një punëtor pa të. Kjo është ligj që s’mund askush ta kontestojë.
Shumë firma u premtojnë se njohjen mund ta bëni në Gjermani. Unë ju them se kjo mundësi është gati e pamundur pasi që është në interes të punëdhënësit që ju të mos certifikoheni pasi kjo ka koston e vet për firmën.
Për të kaluar këtu provimet jam i bindur që niveli juaj i gjermanishtes është i ulët dhe nuk do ja dilni dot.
Ju bëni punën e infermierit por paguheni si ndihmës. Me pagën e ndihmësit ju vështirë ia dilni të mbijetoni pasi që kostot e jetesës janë shumë të larta.
Tregu në Gjermani kërkon infermier të nivelit Bachelor apo me shkolla mjekësore, por mos shpenzoni të mbaroni nivelin e tretë/master pasi ai nivel nuk kërkohet, është nivel akademik që kërkohet vetëm nëpër shkolla dhe jo nëpër institucionet shëndetësore.
Pra nëse ka ndokush synimin të mbarojë nivelin e tillë për një punë më të mirë, unë ju rekomandoj të mos e bëni një gjë të tillë.
Më mirë është të ndjekni kurse të gjermanishtes dhe të jeni të pavarur.
Një gjë shumë me rëndësi është praktika profesionale.
Ju rekomandoj që të shkoni nëpër klinika të kujdesit intensiv dhe të mësoni shumë gjëra që do u duhen në Gjermani.
Askush nuk ju pyet çfarë ke studiuar, por ata duan punë praktike që të jeni të shkathët dhe profesional.
Në përfundim duke ju dëshiruar suksese në profesion dhe jetë ju them se të punosh në Gjermani nuk është e lehtë dhe kërkohet shumë mund.
Gjermanët jetojnë për të punuar.
Ne këtu, thjesht, jemi robot.
……………………….
(Autori është mësimdhënës i infermierisë Klinike, spec. i kujdesit intensiv me emergjencë)

