Çmimi “Restaurant Guru Award 2026” në Belgjikë i jepet shqiptares Shpresa Jusufi
Në qendër të Antwerpenit, biznesi “TE PECA”, i themeluar nga Shpresa Jusufi, një vit më parë, po shënon sukses të jashtëzakonshëm duke u vlerësuar me çmimin prestigjioz “Restaurant Guru Award 2026”, transmeton albinfo.ch.
Megjithatë, rruga drejt suksesit nuk ishte e lehtë, pasi punimet e shumta në zonë ndikuan drejtpërdrejt në qarkullimin e klientëve dhe zhvillimin e biznesit.
Pavarësisht sfidave, Shpresa Jusufi, me këmbëngulje dhe punë të palodhur, arriti ta mbajë gjallë projektin e saj dhe ta zhvillojë me sukses, siç raporton edhe Gazet van Antwerpen.
Sot, “TE PECA” konsiderohet si një “perlë e fshehur” në zemër të qytetit, ku çdo ditë përgatiten sanduiçë të freskët me përbërës cilësorë dhe çmime të përballueshme.
Ajo që e dallon më së shumti këtë vend nuk është vetëm ushqimi, por edhe mikpritja e veçantë.
“Në TE PECA duam që çdo klient të largohet i kënaqur dhe me buzëqeshje,” është filozofia që e udhëheq këtë biznes.
Biznesi vazhdon të rritet çdo ditë dhe të fitojë gjithnjë e më shumë zemrat e klientëve, duke u shndërruar në një nga adresat më të kërkuara të qytetit.

