Coli: Futbolli është pasioni im jetësor
Futbolli luan një rol shumë të rëndësishëm në shoqërinë e sidomos në rininë tonë, thotë trajneri i Akademisë së futbollit SC ‘Gjilani’, Selajdin Jerliu-Coli.
Vendet ku sporti përkrahet nga shoqëria, janë vende më të sigurta dhe njerëzit e sidomos fëmijët e atyre vendeve janë më të shëndetshëm dhe më të lumtur se sa në vendet ku aktivitetet fizike nuk kanë përparësi.
Sporti përveç që është i mirë për shëndetin fizik te fëmijët, është i mirë edhe për shëndetin psikologjik.
Përveç përfitimeve fizike nga futbolli, fëmijët mund të kenë përfitime psikologjike dhe sociale nga ekipi.
Ata mësojnë të bashkëpunojnë me të tjerët, si të ballafaqohen me humbjen dhe fitoren, duke përfituar pjekuri së bashku me ekipin.
Aktivitetet fizike ndihmojnë shumë në disiplinën e fëmijëve sepse ata mësojnë për dedikimin në punë për të arritur suksese.
Përkrahja e ekipit, prindërve dhe shoqërisë ka rendësi të madhe për të rinjtë që e duan sportin.
“Andaj edhe kërkoj që shoqëria të ofrojë edhe më shumë përkrahje të ndryshme për sportet e sidomos për fëmijët që e kanë pasion sportin dhe duan ta vazhdojnë si karrierë.
Njashtu të inkurajojnë fëmijët të inkuadrohen në sporte të ndryshme sa më shumë që është e mundur.
Jam krenar që kam mundësinë të jap kontributin tim si trajner i futbollit në Akademinë SC të Gjilanit dhe kënaqësia ime është të punoj me nxënësit”, thotë Coli.
Kjo akademi ka 200 nxënës të grupmoshave të ndryshme, nga 8 vjeç deri tek 17 vjeç.
“Këtë punë e bëjë me krenari sepse e kam pasion dhe jam i lumtur që me eksperiencën time shumë vjeçare si trajner dhe si lojtar i futbollit, të kontribuoj për të mirën e rinisë dhe shoqërisë”, ka thënë Coli për Mediafokus.info.
Coli ka filluar karrierën e futbollit në vitin 1982 në klubin Crvena Zvezda dhe ka qenë lojtar në disa klube të njohura, si Drita, Gjilani, Bashkimi (Kumanove), Shkëndija (Tetovë), Ludvigsburg (Gjermani), etj.
Ai ka qenë reprezentues i Kosovës për 10 vite. Numri 5 ka qenë numri i Colit dhe ka bërë krenar gjilanasit me vite.
Nga viti 2010 ai është trajner i futbollit i licencuar nga UEFA, ku këtë punë e bënë me shumë pasion dhe krenari. /Mediafokus.info/

