Covid-19 e rikthen administratën në shtëpi
Të gjitha objektet hotelierike do të punojnë deri në orën 23:00, administrata shtetërore duhet ta organizojë punën nga shtëpia ose në turne, ndërsa kapaciteti i transportit publik do të kufizohet për 50 për qind. Këto janë rekomandime të Komisionit për sëmundje ngjitëse, të cilat Qeveria e Maqedonisë së Veriut i miratoi dhe të njëjtat menjëherë kanë hyrë në fuqi, raporton tetovasot.
Të gjitha objektet hotelierike do të punojnë deri në ora 23:00, përveç atyre që kryejnë dërgesa, ndërsa tërë administrata shtetërore dhe publike, komunat dhe gjykatat duhet ta organizojnë punën në turne, online nga shtëpia ose në mënyrë të reduktuar me sistem të rotacioneve.
Në pajtim me vendimin qeveritar gara atletike “23 Tetori” në Shkup do të shtyhet, si dhe do të mbetet ndalesa për pjesëmarrjen e publikut në garat sportive të organizuara nga Federata e Hendbollit dhe federatat e tjera të sportit.
Me ndryshimet në Ligj, do të jetë e obligueshme mbajtja e maskës në ambient të hapur, do të ndalohet grupimi në ambient të hapur pas orës 22:00 dhe do të kufizohet numri i mysafirëve në shtëpi më shumë se katër persona.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe megjithatë, pret që deputetët të tregojnë përgjegjësi dhe urgjentisht t’i sjellin masat e reja për mbrojtje nga Kovid-19, sepse, thekson, situata është serioze.
“Kapacitetet spitalore janë një ndër parametrat kryesorë. Nëse vlerësojmë se këto kapacitete të cilat janë dimensionuar për të qenë rezervë po përmbushen, atëherë, definitivisht do të rekomandojmë restriksion të plotë në lëvizje, përkatësisht orë policore. Nuk ka shtretër të lirë në disa reparte infektive në vend, në spitalin në Kumanovë, Shtip, Strumicë. Filloi të mbushet edhe reparti në Kavadar dhe në Gostivar.
Shtoi se para nesh është periudha më e rrezikshme prej disa muajve, muajt e vjeshtës dhe të dimrit, në të cilët, siç theksoi, mund të komplikohet situata epidemiologjike në vend edhe me numër shtesë të rasteve të sëmundjeve të tjera, grip sezonal dhe ftohje.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani mbrëmë sqaroi se masat kufizuese janë të vetmet që mund ta parandalojnë përhapjen e infeksionit.
Sipas Hasanit, jemi brenda kufirit të arsyeshëm të poshtëm të masave kufizuese, por nëse rritet numri i të infektuarve të rinj, ekziston mundësia për t’i përforcuar ato.

