Dakaj ironizon me Liburn Aliun e Alban Hysenin: Hajde t’ua bëjmë 1900 ‘like’ për 1900 metra rrugë

Gazetari, Shkelzen Dakaj ka ironizuar pasi në Gjilan u mblodhën, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni dhe zëvendësministri, Hysen Durmishi për të përuruar 1900 metra rrugë të asfaltuar të cilën ministri e paraqiti si përurim të “rrugës Gjilan – Bujanoc”.

Dakaj ka kërkuar që ministrit ti jepet vëmendja që ka kërkuar duke i bërë 1900 pëlqime në postimine tij për 1900 metra rrugë të shtruar, si projektin më të madh të qeverisë Kurti.

“Projekti madhor i rrugës Gjilan – Bujanovc . A mund të më ndihmoni ta bëjmë këtë postim me 1900 like për ministrin Liburn Aliu dhe kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni? Na iku pa vëmendjen e duhur dhe të merituar projekti më i madh i qeverisë Kurti në infrastrukturë. Shikoni se për çfarë bëhet fjalë. Në këtë postim dhe në pak rreshta, mund ta kuptoni sa mashtrues dhe manipulues janë”, ka thënë Dakaj.

Gazetari ka thënë se për herë të parë në qeverinë Kurti projektet rrugore maten me metra dhe jo me kilometra.

“Ministri, zëvendësministri dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, tre persona që mbajnë poste të larta shtetërore, janë në gjendje të përpiqen të mashtrojnë dhe manipulojnë opinionin publik për një rrugë të përfunduar, e cila është as më shumë e as më pak, veçse 1900 metra e gjatë. Jo kilometra, por METRA! Për herë të parë, kjo qeveri po i mat projektet infrastrukturore me metra”, shkruan Dakaj.

Dakaj i ka quajtur manipulantë duke pyetur se kush tani po prodhon lajme të rreme.

“Pra, miq të dashur dhe ju që i keni duartrokitur këtij postimi dhe kësaj “kryevepre”, po ju tregoj se bëhet fjalë për një rrugë në dalje të Gjilanit që shkon deri në hyrje të fshatit Përlepnicë. Pra, bëhet fjalë për një rrugë ekzistuese, e cila është zgjeruar për shkak se shërben si hyrje-dalje për Gjilanin. Bujanoci është larg nga këtu sa Veterniku është larg Shkupit apo Fushë Kosova larg Kukësit. Kush po prodhon mashtrime dhe “fake neës” duke u përpjekur të manipulojë këtë shoqëri? Qeveria Kurti dhe njerëzit e saj, apo mediat dhe gazetarët?”, shkruan gazetari.

“Kush do ta kishte menduar se qeveria e shpresës do të vinte në këtë derexhe?”, përfundon ai.

Ndërsa në postimin e ministrit askund nuk përmendet se sa metra asfalt janë shtruar në këtë pjesë duke e paraqitur si projekt madhor prej 3 milionë eurosh.

“Përurohet rruga Gjilan-Bujanoc. Sot, së bashku me kryetarin e Gjilanit z. Alban Hyseni, zv ministrin z. Hysen Durmishi dhe bashkpunëtorë, përuruam rrugën Gjilan-Bujanoc në kuadër të projektit të zgjerimit të daljes nga qyteti i Gjilanit. Kjo rrugë është e një rëndësie të veçantë për qytetarët e Komunës së Gjilanit dhe jo vetëm. Projekti në vlerë prej 3 milionë eurosh përveç rrugës me gjatësi 2900m me katër korsi përfshinë edhe shirit të biciklistëve, trotuar në të dyja anët, kanalizim kabllor, fekal e atmosferik, ndriçim në mes dhe sinjalizim. Urime!”, kishte shkruar ministri para dy ditësh në postimin për këtë rrugë ku i kishte bashkangjitur edhe disa forografi.

Kjo nuk është hera e parë që krerë të institucioneve marrin pjesë në përurime të tilla. Kryeministri Kurti vitin që lamë pas mori pjesë në përuruimin e një ure të vogël në fshatin Saradran të Istogut.

Ai preu shiritin për urën e vogël e cila po ashtu mbeti edhe e pashfrytëzuar për shkak të gjendjes së keqe të rrugës disa metra më poshtë.

Në lidhje me pjesëmarrjen e Kurtit atje pati reagime të shumta dhe më pas iu publikuan edhe pamjet e gjendjes së kësaj rruge disa metra më poshtë urës./Gazeta Infokus