“Dark Side of the Ring” – Melisa Leka shkëlqen në serial
Talentet shqiptare po vazhdojnë të lënë gjurmë në skenat ndërkombëtare, dhe një ndër to është edhe Melisa Leka, aktorja e re me origjinë nga Malësia e Madhe, e lindur dhe rritur në Toronto, transmeton albinfo.ch.
Melisa po tërheq vëmendjen e publikut me rolin e saj në sezonin e gjashtë të serialit të njohur “Dark Side of the Ring”, një prodhim ndërkombëtar i Vice Productions, që transmetohet në mbarë botën.
Ky rol përbën një hap të rëndësishëm në karrierën e saj dhe dëshmon përkushtimin, profesionalizmin dhe talentin e saj të spikatur në aktrim.
Produksioni Vice Productions i ka besuar Melisës një mundësi të veçantë për të shfaqur potencialin e saj artistik, duke e pozicionuar si një nga zërat e rinj më premtues në industrinë e filmit në Kanada.
Përveç aktrimit, Melisa është e angazhuar edhe në komunitetin shqiptar të Torontos, ku njihet për kontributin e saj në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Si anëtare dhe valltare e Grupit të Valleve “Fluturimi i Shqipes”, ajo sjell me krenari elementet e traditës shqiptare në skenat kulturore të Kanadasë.
Me punën dhe përkushtimin e saj, Melisa Leka po bëhet një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë kudo në botë, një dëshmi se talenti dhe pasioni mund të çojnë drejt suksesit ndërkombëtar.

