DASH rikonfirmon diskriminimin shtetëror serb ndaj shqiptarëve të Luginës

Departamenti Amerikan i Shtetit rikonfirmoi diskriminimin shtretëror ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe përkeqësimin e demokracisë në Serbi.

E rëndësishme që në raportin mbi gjendjen globale të të drejtave të njeriut për vitin 2021, në seksionin për Serbinë, Departamenti i Shtetit Amerikan rikonfirmon se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë “subjekt i diskriminimit dhe papunësisë disproporcionale”, si dhe që pasivizimi i vendbanimeve të shumë shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka “rezultuar në humbjen e dokumenteve personale dhe qasjen e tyre në shërbimet shëndetësore, arsimore dhe sociale”, ka thënë Ardita Sinani, ish-kryetare e Preshevës.

Për më tepër, raporti shënjestron qartësisht Ministrin e Brendshëm të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vulin, për “vazhdimin e përdorimit publik të termit poshtërues për shqiptarët, ka shtuar ajo.

Raporti ngrit po ashtu çështjet e kufizimeve në lirinë e shprehjes dhe mediave, presionin politik mbi gjyqësorin, akte të shumta të korrupsionit të rëndë në qeveri.

Republika e Serbisë vazhdon të karakterizohet si një regjim hibrid dhe një vend në të cilin vazhdon të përkeqësohen gjendja e lirive themelore dhe institucioneve demokratike.

Duke iu referuar raportit të Komisionit Evropian të vitit 2021, raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan konfirmon rezultate të dobëta nga ana e Serbisë edhe në dënimin e krimeve të luftës.