”Dashni dhe pabesi” përfundon me “tradhti”, një rrëfim mes lotësh i vëllëzërve Loshi

Seriali shumë i ndjekur “Dashni e Pabesi” ka përfunduar papritmas dhe pa një përmbyllje dinjitoze.

Në emisionin SOL, vëllezërit Loshi, kanë thënë se vendimi është marrë njëanshëm nga producenti, transmeton klankosova.tv.

“Meqë erdhëm këtu, do doja ta ndaj një lajm jo të mirë, sepse seriali ”Dashni dhe Pabesi” ka përfunduar me episodin e 68-të. Vendimin e ka marrë producenti. Vendimin e ka marrë njëanshëm sepse nuk kemi qenë të njoftuar, unë të paktën si skenarist nuk kam qenë i njoftuar”, tha skenaristi dhe aktori Imer Loshi, duke potencuar se ai dhe ekipi i tij ishin të përgatitur për të vazhduar me të paktën dy episode të tjera këtë sezon, me plane për të rifilluar në shtator.

Loshi gjithashtu shprehu zhgënjimin e tij të thellë për përfundimin e papritur të serialit, duke theksuar se historia meritonte një përfundim më të mirë.

“Jam i zhgënjyer në këtë rast dhe jam i dëshpëruar bukur shumë sepse do të doja të paktën ta jap një përfundim më të mirë. E ka merituar ky serial një përfundim më të mirë”, u shpreh ai me keqardhje.