Dasmat e luksit dhe realiteti i shoqërisë tonë
Dorën në zemër, shqiptarët kanë bërë hapa gjigantë në muzikë, art dhe organizim eventesh.
Dasmat shqiptare janë kthyer në spektakle të vërteta dhe me koreografi të planifikuar, me dekore si në filmat hollywoodi, me harxhime që kalojnë çdo kufi logjik dhe ekonomik.
Por teksa i shohim këto pamje që na rrëmbejnë syrin dhe veshin, më duhet të ndalem dhe të pyes veten: ku po shkojmë si shoqëri?
Çfarë po ndërtojmë përtej kësaj fasade vezulluese që na mashtron?
Pas një dite pune të rëndë, kthehem në shtëpi dhe gjej nënën time të vetme në dhomën e ndenjës, duke shikuar dasma shqiptare në YouTube.
Ulem pranë saj, sepse, si shumë prej nesh, kemi nevojë për pak ngrohtësi, për një çast çlodhjeje dhe e gjej veten duke diskutuar dasmat me nanën.
Flasim për këngët, për veshjet, për organizimin e dasmave e shijojmë atë botë të bukur, për pak çaste. Por nuk kalon shumë kohë dhe e pyes veten: kush po përfiton nga gjithë ky luks të pashoq?
Kush po na ushqen me këtë iluzion të përparimit, ndërkohë që realiteti është krejt tjetër? Një popull që di të këndojë aq bukur, ndoshta nuk dëgjon për të kuptuar arsyen!
Ne kemi krijuar një realitet paralel, ku gjithçka duket madhështore: klipet janë si reklama firmash luksoze, dasmat si evente gala të një elite milionerësh. Kemi ndërtuar një industri të tërë arti e argëtimi që lulëzon.
Kemi arritur një pikë ku për një dasmë harxhohen me qindra mijëra euro, ndërkohë që ndoshta disa shkolla janë pa ngrohje dimrit, spitalet pa barna, pensionistët me ndihma qesharake, e të rinjtë shumica pa perspektivë. Kush po merret me këto probleme serioze?
Një popull që investon shumë në imazh dhe pak në substance, pasqyra nuk duket e pastër.
Disa spektatorë të mirë në dasma!
Ngrehin dolli për familje që ndoshta mezi ia dalin të paguajnë kredinë e dasmës së tyre. Pak flitet për pasojat sociale të kësaj kulture të shfrenuar të konsumit.
Askush nuk flet për faktin se kjo garë për luks, e ushqyer nga mediat dhe e heshtur nga politika, po na çon drejt një kolapsi të vërtetë shoqëror.
A po shndërrohemi ne figurantë dasmash dhe klientë të industrisë së imazhit? Në vend të ndërtojmë shkolla e spitale, i japim popullit një këngë të re, një event të radhës, një dasmë tjetër për tu argëtuar.
A është ky lloj kompensimi emocional për boshllëqet qe ndjejmë si shoqëri?
A po mundohemi ta mbulojmë zhgënjimin e përditshëm me ndriçimin e një dasme madhështore? A është kjo dëshirë për tu dukur mirë në sy të tjerëve, një përpjekje për të harruar realitetin tonë të vërtetë.
Kultura si anestetik kolektiv
Muzika, arti, dasmat nuk janë faji. Përkundrazi, ato janë pasuri kombëtare. Por kur ato bëhen mjeti anestetik shoqëror, nuk trajtohen problemet serioze, ndryshimet reale në parlament, në administratë, në sistemin e drejtësisë, në arsim dhe shëndetësi, kjo është një formulë e rrezikshme.
Një popull që këndon bukur, por që nuk e ndjen më dhimbjen kolektive, sepse është mësuar ta fshehë pas muzikës dhe ahengjeve, vërtetë është formulë e rrezikshme.
Reflektimi im njerëzor është se nga dashuria që kam për popullin tim, për kulturën tonë, unë mendoj se ne mund të kemi dasmat më të bukura në botë. Por kjo nuk mjafton për të pasur një shoqëri të shëndetshme.
Ishalla jam gabim!
Vana Jerliu Ramadani, Terapiste/Këshilltare e Shëndetit Mendor dhe Punëve Sociale në SHBA