Dauti: Armët bërthamore ruse qëndrojnë në duart e një të çmenduri

Studiuesi i politikës britanike ndaj çështjes shqiptare, njëherësh gazetar, Daut Dauti, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, është një i çmendur, pasi sipas tij, në çdo moment mund të japë urdhër që të përdoren armët bërthamore.

“Natyrisht se droja është e arsyeshme, pasi armët bërthamore ruse qëndrojnë në duart e një të çmenduri. Putini nuk është duke dhënë shenja të tjera pos të një njeriu të çmendur. Putini mund të japë urdhër, por bota duhet të shpresojë që të mos e bëjë këtë punë, ndoshta edhe të largohet nga pushteti, nëse ekziston një mobilizim i rusëve që të mos e përkrahin tutje”, tha Dauti per Klan Kosova.

Ai tha se lufta që po ndodh në mes të Ukrainës dhe Rusisë mund t’i rrezikojë edhe vendet e tjera.

“Kërcënimi në Ukrainë nuk është vetëm për Ukrainën, por edhe për vendet e tjera, pasi kështu i hapet rruga Rusisë për të pushtuar edhe vendet që i ka përreth”.

Por ai tha se shpreson se nga kjo luftë, Ukraina do të dalë fituese pasi, sipas tij, ka mbështetjen e vendeve të botës.

“Ukraina do të fitojë, sepse Rusia nuk ka mundësi ta okupojë një shtet aq të madh dhe një shtet që e ka krejt botën prapa tij dhe një shtet që në fillim është duke treguar vullnet për të mbrojtur shtetin e vet dhe masat që po i shohim ditëve të fundit, si sanksionet, janë në humbje të Putinit, por sa mund të zgjasë kjo, mund të zgjasë disa muaj apo vite, por nuk ka gjasa që Rusia ta mbajë të okupuar një vend që është aq i madh dhe me aq mbështetje”, ka thënë ai.