Dauti: Kuvendi nuk e respekton gjuhën shqipe, dokumentet sillen vetëm maqedonisht

Deputetja e Frontit Europian, Ilire Dauti, e ftuar në emisionin Klan Debat në televizionin Klan Macedonia, tha se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nuk respekton gjuhën shqipe, pasi dokumentet sillen vetëm në një gjuhë e jo edhe në shqip.

“Ligjet në Kuvend sillen vetëm në gjuhën maqedonase, nuk respektohet gjuha shqipe. Nga informacionet që unë kam, asnjë ligj nuk vjen në dy gjuhë, por vetëm në gjuhën maqedonase. Besoj se do të ketë ndryshim, sepse kështu nuk vazhdohet. Është e pamundur që kjo të ndodh rastësisht dhe aksidentalisht, dyshoj në një marrëveshje VMRO-ZNAM dhe VLEN. Unë reagova e para kur erdhi ligji i propozuar nga ministri i Shëndetësisë dhe ishte vetëm në gjuhën maqedonase. Sot e kësaj ditë nuk kam marrë asnjë përgjigje për reagimin tim”, tha Dauti.

Dauti tha se kjo qeveri është stagnim dhe kthim pas. Sipas saj, Maqedonia e Veriut edhe pse u nda nga Republika e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, akoma ende nuk flitet për ndryshimet kushtetuese.