Dedaj thotë se ndjehet i rrezikuar nga “klani i Osmanit”

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj, ka deklaruar se ndihet i rrezikuar nga “Klani i Osmanit”, duke iu referuar personave të afërt me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai ka thënë se është njeri i ligjit, por ka theksuar se në vendin nga ai dhe familja e tij kanë prejardhjen, vepron edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit.

“Unë jam i ligjit, mirëpo ne jemi shqiptarë. Nuk mundesh dikë që ja ke inati me e vra. Unë jam i rrezikum nga Klani i Osmanit, i Vjosës dhe bashkëshortit të saj, nga njerëzit e saj dhe listës Guxo. Nuk di që duhet me pasë kërcënim tjetër kur ta rrezikon jetën, të lë të pafytyrë, të heq prej listës së pagave”, tha Dedaj në T7, transmeton Gazeta Express.

Ai ka thënë se nëse dikush e shkel ose e vret, do ta vret edhe ai.

“Përveç ligjit, te unë dhe familja ime te Malësia e Gjakovës vepron edhe kanuni i Lekë Dukagjinit. Nëse më shkel dikush, më vret dikush, ka m’u vra edhe ai. Edhe ai ka me pasë pasoja. Presionin që janë kah ma bajnë”, ka thënë Dedaj.