Dedikim: Mjeku Shefqet Mehmet i ngriti përmendore kalldrëmës së Gjilanit
Rrallë ndonjë vdekje tjetër si kjo e mjekut Shefqet Mehmet ka prekur më shumë qytetarët e Gjilanit.
Nga mbrëmë nuk kanë pushuar defikimet e ngushëllimet për urologun Shefqet Mehmet, i cili ishte aq universal dhe aq unik në shumëçka.
Dedikimin ndoshta më domethënës për të e ka bërë doktori Besim Guda.
U shua mbrëmë, për të kaluar në ahiret dr.Shefqet Mehmet –urologu i parë gjilanas.
Thonë kur të vdes një mik, vdes me të edhe një pjesë e Juaja.
Është e vështirë të gjesh fjalë kur një stuhi tërbohet në shpirt nga hidhërimi i humbjes. Nuk mund të besohet se kjo ka ndodhur
Në jetë takojmë njerëz që na harrojnë. Ne harrojm njerëzit që takojmë. Por ndonjëherë takoni ata njerëz që nuk mund t’i harroni. Ata janë miqtë tuaj.
I tillë për ne ishte dr. Shefqeti. Miku ynë i dashur, shoku dhe kolegu. Njeriu i dashur, erudit i dijes, humanist i veçantë, mjeku i shkëlqyeshëm, punëtori i pa lodhur, kosmopolit nga të paktit që ka qyteti.
Ai punoi me ne, veproi pranë nesh, por krijoi dhe ndërtoi personalitetin e vet në një dimension tjetër.
Ishte idealist i veçantë, besimtar nga më të devotshmit, njohës i shumë fushave shoqërore larg zanatit të vet primar.
Të kujtonte klasikët e letërsisë. I imët me trup, por i thellë në ide e mendime.
Gjerësia e tij humaniste sikur të jepte frymë. Kishte një qasje shumë të holluar për jetën, për punën, për profesionin.
Humanizmin e kishte të mbjellur në gjen. Ishte nga të fundit që pa kushte e donte qytetin.
Jetoi e frymoi për të. Kalldërmës së Gjilanit, tani më të shkulur fare e të harruar, ai i ngriti përmendore.
Do ta quaja kronist të kohës!
Me mbamendjen e tij të jashtëzakonshme arrinte të kujtonte deri në detajet më të vogla pjesë të qytetit ku ishte lindur e rritur.
Për dhe me kolegët ishte i veçantë. E donte dhe respektonte punëtorin. Nuk kursehej fare për të ndihmuar. Ofronte këshilla shumë të dobishme për gjithsecilin.
Falemiderit për gjithçka që bëre për ne, spitalin dhe qytetin tonë.
Qofsh i parajsës dr.Shefqet, e në të u takofshim!

